Kurti ironizon me Haradinajn dhe Limajn

Prishtinë | 19 Sht 2018 | 09:57 | Nga

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka ironizuar me propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj që Fatmir Limaj të jetë kryenegociator në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në një postim të shkurtë në Facebook, Kurti ka shkruar se roli i Haradinajt dhe Limajt në Bruksel mori fund kur i shkuan pas Hashim Thaçit më 18 korrik në Bruksel.

“Haradinaj do që Limaj të udhëheqë ekipin negociator. Haradinaj e Limaj nuk po kuptojnë. Ata i mori Thaçi pas vetes në Bruksel me 18 korrik. Kaq ishte roli i tyre. Episodik por impresiv”, ka shkruar Kurti për takimin në të cilin anëtarët e delegacionit njëri-tjetrin e quajtën “Bac”.

Kosova ende nuk ka arritur konsensus të brendshëm sa i përket paraqitjes në tavolinën negociuese me shtetin serb. Thaçi ka ngritur në opinion mundësinë e korrigjimit të kufirit, e cila sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës me Kosovën.

Mirëpo, për një gjë të tillë Thaçi ka hasur në kundërshtime të skenës politike, duke përfshirë mospajtimin e fortë nga opozita. Për shkak të kësaj, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur protestë më 29 shtator.

Të ngjashme