Kurti ka një “lajm” për Kryetarin e Shtërpcës që shkoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Beograd

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka folur për prezencën e anëtarit të Listës Serbe, kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt dje në Beograd.

Kurti u pyet për masat që do të duhej të merreshin ndaj tij dhe tha se organet përkatëse do të duhej të vepronin.

“Për të gjitha këto janë organet e shtetit të cilat vendosin. Pa dyshim që unë mendoj që kryetari i Komunës së Shtërpcës nuk duhet të shkojë në mbledhje të Këshillit të Sigurisë në Beograd. Është gabim, është dëm”, tha Kurti.

“Por në këtë rast, organet përkatëse do të duhej që ta bëjnë një hulumtim, një hetim të tillë”, shtoi ai.

E njëjta vlen edhe për policët, tha Kurti, disa prej të cilëve ishin në Beograd për t’i shërbyer Vuçiqit dhe për t’i marrë porositë e tij.

“Presidenti i Serbisë nga njëra anë e kishte Milan Radoiçiqin i cili dihet që ndiqet në Kosovë nga organet që e zbatojnë ligjin dhe në anën tjetër drejtin e BIA-s apo UDB-ës si është quajtur më herët, Bratislav Gashiqin. Unë nuk mendoj që për të ndërtuar marrëdhënie të mira miqësore e europiane, këta dy persona japin shumë shpresë”, tha Kurti.

Të gjithë njerëzit jashtëligjorë kanë interes për konflikte, tha Kurti, sepse, konfliktet “i bëjnë praktikisht të lirë”.

“Brenga jonë është që persona të tillë jashtëligjorë kanë interes në konflikte, sepse kur ndodhin konfliktet, atëherë këta persona çlirohen. Sepse konflikti është vendi ku shkelen ligjet, dhe ata ndihen si në shtëpinë e tyre”, tha kryeministri.

Të ngjashme