Kurti: Kemi përkrahjen e ndërkombëtarëve për ta formuar Qeverinë

Prishtinë | 01 Gus 2017 | 09:57 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, është regjistruar  sot si deputet i Legjislaturë së VI-të, raporton Ekonomia Online.

Pas regjistrimit, ai ka thënë se në detyrën e deputetit do të jetë në shërbim të popullit.

“U posa e bëra regjistrimin si deputet në Kuvendin e Republikës dhe unë do të jem deputet i popullit që do ndryshime. Do të jem në krye të detyrës sipas zotimeve tona”, ka thënë Kurti.

Kurti edhe njëherë ka rikonfirmuar se Vetëvendosja nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Parlamentit.

“Të enjten Kuvendi duhet ta zgjedhë një figurë politike që duhet të jetë sa më gjithë përfshirëse e kurrsesi kontroverse”, u shpreh Kurti.

Ai ka konfirmuar se në seancën konstituive do të jenë prezent 32 deputetët e VV-së.

“I gjithë grupi i Vetëvendosjes, përfshirë edhe mua pra 32 deputetë do të jemi të enjten në seancë”, sqaroi ai.

Kurti u shpreh i bindur se VV ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për formimin e Qeverisë.

Sipas Kurti, në takimet që ka pasur më ambasadorë e akredituar në Kosovë është diskutuar për qëndrimet dhe idetë e Vetëvendosje kur të hyjë në Qeveri.

“Në vitin 2014 ka pasur edhe kritere shtesë për qeverisjen e Vetëvendosjes përveç votave, tashmë nuk ekzistojnë kriteret e tilla. Ne trajtohemi në mënyrë të barabartë dhe kushdo që krijon shumicën do të krijoj Qeverinë e cila pranohet dhe mbështetet nga faktorët ndërkombëtarë. Theksojmë rëndësinë e partneritetit edhe bilateral edhe multilateral me shtete e Perëndimit e në veçanti me ShBA-në”, tha Kurti.

Sipas Administratës së Kuvendit mos regjistrimi i deputetëve deri tani nuk paraqet problem pasi Kuvendi ka bërë të ditur se kjo procedurë ka për qëllim të lehtësimit teknik pasi një gjë e tillë nuk është e paraparë me dispozitat e Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe as me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

Nga 120 deputetë sa ka kjo legjislaturë, kanë mbetur pa regjistruar vetëm edhe katër.

Të ngjashme