Kurti: Kemi shkallën më të lartë të të vaksinuarve dhe shkallën më të ulët të humbjeve të jetës në gjithë rajonin

Prishtinë | 29 Maj 2022 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në facebook ka shkruar lidhur numrin e vogël të rasteve pozitive me Covid-19 në vend.

Kurti ka thënë se furnizimi e donacionet me vaksina nga shtetet mike kanë ndërtuar bazën për një proces shembullor të vaksinimit në vend.

Kryeministri ka thënë se sipas statistikave, kemi shkallën më të lartë të të vaksinuarve dhe shkallën më të ulët të humbjeve të jetës në gjithë rajonin.

Postimi i plotë:

Tash e disa ditë kemi regjistruar numra njëshifrorë të të infektuarve me Covid-19. Sot nuk e patëm asnjë rast.

Si sot para një viti Qeveria e nënshkroi kontratën për sigurimin e vaksinave. Për vetëm dy muaj, negociuam dhe lidhëm kontratë drejtpërsëdrejti me prodhuesin Pfizer, kontraktuam vaksina të miratuara edhe nga rregullatori evropian, edhe ai amerikan. Ky furnizim dhe donacionet nga shtetet mike, ndërtuan bazën për një proces shembullor të vaksinimit.

Rezultatet janë të dukshme. Sipas statistikave, kemi shkallën më të lartë të të vaksinuarve dhe shkallën më të ulët të humbjeve të jetës në gjithë rajonin. Edhe numri i rasteve aktive ka rënë në dyshifror.

Mirëpo, për të vazhduar mbajtjen e kësaj situate, duhet edhe ne të vazhdojmë të vaksinohemi, edhe me dy dozat e para, edhe me dozën përforcuese tre muaj më vonë. Vaksinimi sa më i gjerë, mbetet arma jonë më e fortë për të mbrojtur vetveten dhe njëri-tjetrin.

Të ngjashme