Kurti kujton për ditëlindje poetin boshnjak – shpërndan disa poezi të tij

Prishtinë | 16 Mar 2019 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Izet Sarajliq, poeti nga Sarajeva, i cili është edhe kandidat për çmin Nobel për Letëri sot feston ditëlindjen.

Atë për ditëlindje e ka kujtuar Albin Kurti, duke shpërndarë kështu edhe disa poezi të tij.

“Qysh para 40 vjetësh poezitë e tij në shqip i kanë përkthyer Azem Shkreli, Ali Podrimja, Enver Gjergjeku e Qerim Ujkani”.

“Përgjatë rrethimit mizor gati katërvjeçar në të ’90-at, Izet Sarajliq qëndroi në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës, me ç’rast u plagos, kurse dy motrat ia vranë forcat serbe. Ditari i tij i asaj kohe është libri poetik me titull “Përmbledhja sarajevase e luftës”.

Më poshtë janë disa vargje poezish të ndryshme prej këtij libri, përkthyer nga Salajdin Salihu:

Në njëqindvjetorin e Josip Brozit

Në këtë shtet

edhe Voisllav Shesheli doktoroi.


Pas plagosjes

(Miki Masliqit)

Mbrëmë në ëndërr mu shfaq

Sllobodan Markoviçi

dhe kërkoi ndjesë për plagët e mia.

E vetmja ndjesë serbe

gjatë gjithë kësaj kohe,

dhe vetëm në ëndërr

e nga një poet i vdekur.


I lumturi i pafat

(Lubisha Maksimoviqit)

Ecën njeriu rrugës

dhe këndon.

Përse mos ia thotë këngës

kur ndër sqetulla mban dru koftori.

I lumturi i pafat!

Së paku do të ngrohet

para se ta gjejë

granata e tij.


Motrat

Esenini i kishte

Shurën dhe Kaçën.

Majakovski i kishte

Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha

Ninën e Razën.

Dhe – të gjitha vdiqën.

Raza e Nina

në distancë prej pesëdhjetë ditësh.

Vdiqën

ose i vranë pa plumba?

Tani patjetër

të kërkoj diku një motër të re.

Nuk mundem assesi

mos me qenë vëlla.


Që ta mbijetoj gjithë këtë

(Zija Kafexhiçit)

Shteti gjithashtu tregoi njëfarë kujdesi

për fatkeqësinë time,

kurdo që trokisja në dyert e tij,

ai mungonte

ishte ose në Gjenevë

ose në Nju Jork.


Falënderim për Pen-Qendrën sllovene dhe kryetarin e saj Boris A. Novak

Ah, i dashuri Boris,

sikur të dije sa bukur

digjeshin në koftorin tim

bankënotat 20 markëshe që m’i dërgoje nëpërmjet

Rupelit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme