Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i prirë nga Kryetari Albin Kurti, anëtari i Kryesisë dhe deputeti Rexhep Selimi dhe anëtari tjetër, Ajet Potera kanë vizituar Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ata janë pritur nga Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, me bashkëpunëtorët e tij ku kanë diskutuar për ngjarjet e fundit, me theks negociatat Kosovë-Serbi, si dhe për zhvillimet e fundit në lidhje me listat e veteranëve, njofton Vetëvendosje, përcjell Klan Kosova.
“Ishte konstatim i përbashkët që aspiratave të Serbisë duhet t’iu kundërvihemi si shtet dhe se Serbia i ka shumë borxh shqiptarëve dhe Kosovës. Në anën tjetër, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së janë vlerë e shoqërisë sonë, se ata kanë probleme të shumta sociale, dhe se nevojitet përgjegjësi, rregull e saktësi në trajtimin e çështjeve të tyre”, thuhet në kumtesë.
“Në fund, të dy palët u dakorduan për kontakte, komunikim e takime më të shpeshta në këto kohë tejet të rëndësishme për Kosovën dhe kombin tonë në përgjithësi”.