Kurti në fjalimin përmbyllës i falënderon ministrat, u bën thirrje të mos kursehen në punë

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 10:38 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e fundit për këtë vit ka mbajtur fjalim para kabinetit Qeveritar, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast ai ka falënderuar ministrat për punën gjatë nëntë muajve të qeverisjes duke u bërë thirrje që mos të kursehen në përmbushjen e programit.

Ngushëllime ai u ka shprehur të gjitha familjeve që nga humbur më të dashurit e tyre shkaku i pandemisë, përderisa në fund ka uruar edhe vitin e ri 2022.

“Secili vit i ka sfidat e tij, ky vit sikurse ai i kaluari u mbizotëruar nga pandemia dhe pasojat e saj. Kufizimi që secili prej nesh i ka përjetuar në aktivitetet tona të përditshme, nuk mund të krahasohet me dhimbjet që disa prej nesh kanë ndjerë nga humbja e më të dashurve tanë nga ky virus. Në emër të Qeverisë edhe njëherë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura nga pasojat e Covid-19”.

“Mobilizimi i qytetarëve për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, se sa e madhe është nevoja për ndryshim dhe sa e lartë është përgjegjësia jonë sot dhe nesër këtu. Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë për vitin 2022, le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë dhe të mos kursejmë asgjë për të përmbushur programin tonë qeverisës, që përveç se zotim i yni është pritshmëri e qytetarëve”.

“Falënderoj gjithashtu stafin civil dhe administratën tonë, që iu përgjigjen kërkesave tona për të qenë në krye të detyrë.  Gëzuar Viti i Ri 2022 ju uroj mbarësi dhe shëndet”.

Fjala e plotë e kryeministrit:

Të dashur qytetarë,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Dy ditë para fundvitit, sot po mbajmë mbledhjen e fundit për vitin 2021. Në secilën prej saj, jemi mbledhur për të shpaguar përkrahjen dhe vullnetin demokratik të qytetarëve tanë; kemi votuar për secilën pikë të rendit të ditës, duke qenë të bindur se ashtu jetësojmë interesin e tyre dhe të vendit. Më lejoni që t’ju falënderoj gjithsecilin prej juve për angazhimin e sinqertë përgjatë këtyre nëntë muajve dhe për të gjitha propozim-vendimet nga ministritë tuaja gjatë këtyre 52 mbledhjeve të Qeverisë. Në emër të të gjithë juve, më lejoni që po ashtu të falënderoj stafin civil dhe administratën tonë, të cilët iu janë përgjigjur kërkesave tona për të qenë në krye të detyrës.

Secili vit i ka sfidat e tij. Ky vit, sikurse ai i kaluari, u mbizotëruan nga pandemia dhe pasojat e saj. Kufizimet, që secili prej nesh i ka përjetuar në aktivitetet tona të përditshme dhe të preferuara, nuk mund të krahasohen me dhimbjet, që disa prej nesh kanë ndjerë nga humbja e më të dashurve tanë, shkaktuar nga ky virus, që solli pandeminë. Andaj edhe një herë, në emër të Qeverisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura nga pasojat e kësaj sëmundje.

2021-tën do ta kujtomë si vit, në të cilit shpresa, besim dhe vullneti për ndryshim, u bënë bashkë dhe të pathyeshëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës për t ‘na dhënë mbështetjen historike, është testament se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre, që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, sa e madhe është nevoja dhe dëshira për ndryshim dhe sa e madhe është përgjegjësia jonë sot dhe nesër, këtu.

Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë përgjatë gjithë vitit 2022. Le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë, t’i qëndrojmë besnik synimeve dhe vlerave tona dhe le të mos kursejmë asgjë nga ne për të përmbushur programin tonë qeverisës, që përveç se zotim i ynë, është pritshmëri e qytetarëve.

Të dashur qytetarë,

Të nderuar anëtarë të kabinetit Qeveritar,

Gëzuar Viti i Ri 2022. Ju uroj mbarësi dhe shëndet!

Të ngjashme