Kurti në Pejë: Lidhja Demokratike është lodhje burokratike

pejë | 30 Sht 2017 | 19:12 | Nga

Në tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje! në Pejë, deputeti Albin Kurti ka thënë se Peja është qytet i bjeshkëve e i lumit, i zejeve dhe i artit e i zemrës dhe i mendjes.  Ai ka thënë se pejanët e kanë fat këtë qytet, por fatkeqësi pushtetin, duke shtuar se 22 Tetori do të jetë ditë fati për pejanët e ditë fatkeqësie për pushtetarët.

“Studentët diplomohen në Universitetin e Pejës ‘Haxhi Zeka’ jo për t’u profesionalizuar dhe kontribuar në vendin e tyre, por për ta gjetur një rrugë që ta lëshojnë Pejën”, ka theksuar Kurti, teksa ka folur për gjendjen e rëndë në këtë qytet, për të cilat ka akuzuar partitë e tjera, e në veçanti LDK-në e AAK-në që në vazhdimisht kanë qeverisur.

“Duke mos e votuar Gazin që na bëri gaz, ju e shpëtoni edhe Gazin nga vetvetja”, ka thënë po ashtu Kurti, duke bërë thirrje që të ndëshkohet me votë ai dhe partia e tij, LDK.

“Lidhja Demokratike është lodhje buroktatike. Lidhja e tyre nuk është lidhje. Lidhja e tyre është lodhje. E Lëvizja Vetëvendosje! është zgjidhje”, ka thënë Kurti, duke potencuar se partitë e tjera Peja do të mbetet çerdhe e krimit, kurse me qeverisjen e VV’së do të jetë “Lule e Dukagjinit”.

Bashkim Nurboja i VV-së prezanton 26 masat që do t’i ndërmarrë për Pejën

Kandidati për kryetar të Pejës, Bashkim Nurboja, në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje! në këtë qytet, ka shprehur besimin se Peja pas 22 Tetorit do t’iu kthehet qytetarëve.

“Peja jonë, qyteti jonë, dikur i sportit, e i kulturës, e i dijës, e i biznesit,duhet të rikthehet dhe te ringjallet. Ky kthim, ky ndryshim, kjo shpresë do të kthehet me Besë, me besën që Lëvizja Vetëvendosje dhe unë ja japim këtij qyteti. Peja jonë, qytet jonë, dikur i bujkut, e i fabrikave, e i punëtorëve, duhet të rikthehet dhe të ringjallet. Ky kthim, ky ndryshim, kjo shpresë do të kthehet me Besë, me besën që Lëvizja Vetëvendosje dhe unë ja japim këtij qyteti”, ka thënë Nurboja.

Ai tha se ky ndryshim vjen për shkak të konsistencës së VV-së dhe programit më të mirë që është prezantuar nga ai dhe VV, që ndikon në mirëqenien e qytetarëve dhe që ne jemi të pa korruptueshëm.

Nurboja ka listuar 26 masat që ai dhe qeverisja e VV-së do të ndërmarrin me ardhjen në krye të Pejës, të cilat janë si më poshtë:

  1. Qendra të mjekësisë familjare të rinovuara dhe të funksionalizuara me qasje të lehtë për të gjithë qytetarët;
  2. Riparimi dhe funksionalizimi i Ambulancës në Rugovë me kujdestari 24h për banorët dhe turistët;
  3. Hapja e 6 çerdheve të reja brenda 3 viteve në lagjen 7 shtatori, Rrokaqielli, Zatra, Lugë të Baranit,Qyshkë dhe Lubeniq;
  4. Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave me pjesëmarrjen e komunitetit;
  5. Vizita sistematike shëndetësore në shkolla dhe shujta për nxënësit deri në klasën e 5-të;
  6. Kabinete, laboratore, kënde leximi dhe kurse me mësim plotësues për çdo shkollë;
  7. Pajisja e institucioneve publike dhe shkollave me aparaturë për shuarjen e zjarrit;
  8. Ndërtimi i 40 banesave në lagjen “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve;
  9. Banim me kosto të përballueshme për punëtorët e sektorit publik me mundësi pagese pa kamatë;
  10. Regjistrimi i bujtinave të turizmit në Rugovë, ndërkombëtarizmi dhe regjistrimi i tyre në platformat turistike botërore (Smart Tourism);
  11. Linjë turistike e rregullt Pejë-Rugovë;
  12. Ndarja e hapësirës publike për ndërtimin e EtnoParkut në Rugovë;
  13. Ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik;
  14. Krijimi i ndërmarrjes publike banesore për mirëmbajtjen e ashensorëve, pastrimin e korridoreve, mirëmbajtjen e sistemit të ndriçimit dhe ngjyrosjen e objekteve;
  15. Rikthimi i parkingjeve publike në menaxhim të Komunës dhe organizimi i tyre me çmim të përballueshëm për qytetarët;
  16. Çdo lagje dhe fshat në Komunën e Pejës do të ketë rrjet të ndriçimit brenda 4 viteve;
  17. Transparencë radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale, punësim si dhe digjitalizim i shërbimeve komunale (e-Prokurimi, e-Denoncimi, e-Rekrutimi);
  18. Rritja e subvencioneve bujqësore për projektet me iniciativa grupore dhe ndarja e pronave bujqësore komunale për shfrytëzim nga bujqit;
  19. Mbështetja e bujqve dhe fermerëve nga Drejtoria e Bujqësisë me trajnime dhe konsulencë;
  20. Rregullimi i problemit me qentë endacak duke bërë kastrimin dhe aktivizimin e qendrës për mbajtjen e kafshëve;
  21. Angazhimi i Komunës për moslejimin e privatizimit të Kinemasë së qytetit;
  22. Rritja e hapësirës së bibliotekës së qytetit dhe pasurimi me tekste shkencore;
  23. Organizimi i Festivalit të artistëve të rinjë për krijimin e filmave të shkurtër;
  24. Largimi i zyrtarëve të subjekteve politike nga menaxhimi i klubeve sportive të qytetit, ndarje e ndershme e subvencioneve dhe organizim i tribunave për sponzorim;
  25. Organizim i ligës sportive të shkollave fillore dhe të mesme;
  26. Mbështetje për teatrin duke krijuar një kalendar të plotë artistik dhe promovim të shfaqjeve;

Nurboja ka prezantuar edhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Pejës, me ç’rast ka ftuar pejanët që bashkë më të t’i votojnë edhe këta kandidatë.

Të ngjashme