Kurti: Nevojiten përgatitje dhe veprime urgjente që të parandalojmë një krizë të radhës

Prizren | 30 Maj 2022 | 21:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të pestë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, në Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit, në Prizren.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka thënë se pandemia Covid-19, e tani edhe lufta në Ukrainë, e kanë vërtetuar se sa i cënueshëm është sistemi global i ushqimit, prandaj kjo kërkon përgatitje dhe veprime urgjente që të parandalojmë një krizë të radhës.

Megjithëkëtë, sipas kryeministrit, këto kriza nuk duhen assesi të na pengojnë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ai ka potencuar se Qeveria e ka prioritet zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse vetëm kësisoj arrijmë zhvillim ekonomik, rrisim sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër, kryeministri ka thënë se Qeveria ka ndërmarrë disa veprime, ndër to: shumëfishimin e subvencioneve në bujqësi, inicimin e Kartës për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme, finalizimin e draftit të Strategjisë së Energjisë 2022–2031, finalizimin e Draft Strategjisë Afatgjate të Dekarbonizimit, përmes së cilës i hapet rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, hartimin dhe miratimin e Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, e cila vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe sigurisë ushqimore.

Përmes projekteve të Zhvillimit Rural kemi paraparë përkrahjen e prodhuesve dhe përpunuesve me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të këtyre ndërmarrjeve për të përmbushur standardet e kërkuara të sigurisë ushqimore, ka thënë kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kurtit:

Zonja dhe zotërinj,

E nderuar ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuar ministër i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka,

E nderuar zv.ministre, znj. Linda Çavdarbasha,

Të nderuar ambasadorë Szunyog dhe Rohde,

E nderuar ambasadore e Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejqiq,

I nderuar drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore, z. Burim Ejupi,

E nderuara Flutura Ibrahimi, Uta e Maleve, drejtoreshë e Utalaya Foundation

Përfaqësues të organizatave partnere, vendore dhe ndërkombëtare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Po jetojmë në një kohë shumë sfiduese. Bota ka hyrë në një cikël të krizave të njëpasnjëshme ku ende pa përfunduar njëra po fillon tjetra.

Ende pa u rimëkëmbur mirë nga dëmet në ekonomi dhe në njerëz që shkaktoi pandemia Covid 19, Evropa po përballet me një krizë të natyrës krejtësisht tjetër nga ajo që kishim viteve të fundit. Lufta e Rusisë në Ukrainë po vë në rrezik sigurinë ushqimore, stabilitetin ekonomik, përveçse demokracinë dhe paqen në Evropë e më gjerë.

Me vazhdimin dhe intensifikimin e sulmeve ruse mbi Ukrainën po rriten edhe pasojat e saj shkatërruese. Implikimet e kësaj lufte shtrihen përtej Rusisë dhe Ukrainës. Presionet ekonomike, sociale e gjeopolitike po ndikojnë edhe në thellimin e ndarjeve mes shteteve të mëdha e të vogla, që rrjedhimisht po rrezikojnë çdo aspekt të zhvillimit të qëndrueshëm global.

Prandaj, ndalimi i agresionit rus mbi Ukrainën kërkon veprime urgjente të bashkërenduara e të integruara në një strategji të përbashkët që të parandalohet një krizë tjetër e radhës, ajo e sigurisë globale ushqimore dhe të shpëtohet agjenda globale e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ndërprerja e eksporteve nga Rusia dhe Ukraina, që janë dy eksportues kryesorë të artikujve të rëndësishëm bujqësorë, të cilët së bashku mbulojnë rreth 30% të tregut global me grurë e elb dhe 28% të tregut global me impute bujqësore, ka ngjallur frikë dhe pasiguri se një krizë globale e ngjashme me krizën e viteve 2008/2009 mund të përsëritet.

Rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë në tregjet ndërkombëtare ka nxitur disa shtete të kufizojnë eksportin e disa artikujve në përpjeke për të kufizuar dëmet ekonomike dhe të mbajnë nën kontroll sigurinë e tyre ushqimore. Kriza të tilla si kjo nuk duhet të na shtyjnë drejt mbylljes, por duhet bashkëpunim dhe bashkërendim i veprimeve të shteteve demokratike në Evropë dhe këtu në rajon, duke dakorduar një strategji për dalje nga kriza dhe për të vazhduar agjendën e përbashkët drejt zhvillimit të qëndrueshëm global.

Në muajt e parë kur bota po përballej me pandeminë Covid-19 dhe shtetet nuk e kishin as idenë më të vogël se si mund të zhvillohen gjërat, ato me urgjencë e ridrejtuan vëmendjen dhe burimet e tyre financiare te sistemet e tyre publike shëndetësore e larg objektivave të përbashkëta.

Por, ajo çfarë mësuam nga pandemia Covid-19 ishte se përqendrimi i burimeve njerëzore dhe financiare brenda shteteve individuale nuk e ndihmoi luftën kundër pandemisë. Ngadalë e kuptuam se pandemia Covid-19 është betejë e përbashkët që mund ta mposhtim vetëm duke ofruar më shumë solidaritet me shtetet e varfëra dhe duke punuar së bashku e duke ndihmuar njëri-tjetrin në ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme që parakusht kanë shëndetin e njeriut, të institucioneve e të natyrës.

Pandemia Covid-19, e tani edhe lufta në Ukrainë e kanë vërtetuar se sa i cënueshëm është sistemi global i ushqimit, prandaj kjo kërkon përgatitje dhe veprime urgjente që të parandalojmë një krizë të radhës. Megjithëkëtë, këto kriza nuk duhen assesi të na pengojnë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ne në Qeveri e kemi prioritet zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse vetëm kësisoj arrijmë zhvillim ekonomik, rrisim sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër jemi angazhuar në pesë shtyllat kryesore të saj në nivelin qendror dhe në atë lokal.

Muajin e kaluar Qeveria e ka inicuar Kartën për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme. Ne synojmë që të bashkërendojmë politikat, projektet dhe intervenimet në nivelin lokal dhe atë qendror.

Do të mbështesim projektet përmes së cilave i bëjmë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor, përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve, ndikojnë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe nxisin inovacionet që krijojnë sektorë të rinj biznesi dhe vende të reja pune.

Siguria ushqimore është sfida e radhës me të cilën do të ballafaqohemi muajt në vijim dhe për këtë ne kemi intensifikuar punën në ndryshim-plotësimin e legjislacionit, i cili rregullon çështjet që ndërlidhen me sigurinë ushqimore. Kemi shumëfishuar subvencionet në bujqësi në mënyrë që të mbulojmë nevojat tona elementare me produktet bazike ushqimore dhe gradualisht të dalim nga cikli i varësisë së importit të këtyre produkteve.

Me importimin e ushqimeve importojmë edhe çmimet, prandaj që të sigurojmë çmime më të lira dhe ushqime më të shëndetshme synojmë që brenda një periudhe afatmesme të mbulojmë nevojat tona me ushqimet bazike të cilat prodhohen në vendin tonë. Përmes projekteve të Zhvillimit Rural kemi paraparë përkrahjen e prodhuesve dhe përpunuesve me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të këtyre ndërmarrjeve për të përmbushur standardet e kërkuara të sigurisë ushqimore.

Po ashtu kemi hartuar dhe miratuar Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, e cila vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe sigurisë ushqimore, duke e vendosur si objektiv kryesor “rritjen e konkurrencës së sektorit agro-ushqimor dhe përmirësimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së prodhimit të fermës”.

Sa i përket dekarbonizimit të sistemit të energjisë kemi përfunduar draftin e Strategjisë së Energjisë 2022–2031, i cili shumë shpejtë do të dalë në konsultim publik. Drafti përmban pesë objektivat strategjike dhe specifike të strategjisë, të cilat përfshijnë:

E para, përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së sistemit elektroenergjetik;

E dyta, promovimin e energjisë së ripërtërishme dhe dekarbonizimin;

E treta, rritjen e efiçiencës së energjisë;

E katërta, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe funksionimin e tregut; si dhe e pesta mbrojtjen dhe fuqizimin e konsumatorëve.

Po ashtu jemi duke punuar në finalizimin e Draft Strategjisë Afatgjate të Dekarbonizimit, përmes së cilës do t’i hapim rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, në të cilën rritja ekonomike arrihet me emetime të ulëta të gazrave serrë.

Synimi ynë është që rritja jonë ekonomike të mos bëhet në kurriz të rritjes së konsumit të burimeve tona natyrore. Për këtë ne bashkëpunim të ngushtë do të bëjmë me bizneset private dhe shoqërinë civile, andaj edhe kemi filluar procesin e hartimit të përbashkët të Udhërrëfyesit për Ekonominë Qarkore përmes së cilit trasojmë rrugën tonë drejt një të ardhme më të qëndrueshme.

Qeveria po punon vazhdimisht për të siguruar që kuadri ligjor i menaxhimit të mbetjeve dhe ekonomisë qarkore të jetë në përputhje me Acquis të BE-së.

Do të zbatohen parimet bazë të hierarkisë së menaxhimit të mbeturinave. Mbeturinat që krijojmë nuk mund të trajtohen më si të pavlera dhe si tepricë që përfundon në tokën dhe lumenjtë tanë, por do të vihen në shërbim të zhvillimit nëpërmjet riciklimit, ripërdorimit ose të krijimit të energjisë elektrike apo biogazit.

Me mbështetje të qeverisë gjermane dhe me financim të Bashkimit Evropian janë inicuar instrumentet ekonomike për të nxitur riciklimin. Së shpejti do të fillojmë me rishikimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe do të krijojmë terrenin për aplikimin e parimit Ndotësi Paguan, përmes bazës ligjore për Përgjegjësitë e Zgjeruara të Prodhuesit.

Këto janë vetëm disa nga veprimet e shumta që kemi ndërmarrë si Qeveri për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër. Ka edhe shumë veprime të tjera të cilat kanë filluar, si edhe shumë të tjera që do të fillojnë në të ardhmen e afërt.

Është evidente se ndryshimet klimatike, pandemia Covid-19 dhe lufta ruse në Ukrainë do të transformojnë përgjithmonë mënyrën se si punojmë dhe jetojmë të gjithë ne. Por, kjo varet kryesisht nga veprimet që ndërmarrim sot.

Le ta dëshmojmë së bashku se demokracisë i nevojitet shkenca dhe se zhvillimit i nevojitet demokracia.

Ju faleminderit.

Të ngjashme