Kurti: Nevojitet një kryeprokuror i guximshëm, krimi i organizuar e korrupsioni duhen luftuar tërë kohën

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit është i rëndësishëm për Kosovën, derisa ka njoftuar se intervistimi i kandidatëve do të bëhet sot.

Shefi i Qeverisë ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.

“Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit.  Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve. Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik”.

“Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare. Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme