Kurti nga Brukseli për “non paper”: Nuk do ta lejojmë ringjalljen e projekteve për shkëmbim territorial

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti nga Brukseli është përgjigjur për “non paperat” që kanë qarkulluar ditëve të fundit në media.

Kurti iu ka thënë gazetarëve se më së miri është të mos bëhen komente për këto çështje, që përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë.

Ai tutje, ka thënë se nuk do të lejojë si kryeministër i Kosovës ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial.

“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-paerave’ më së miri është t’u përgjigjemi me ‘No Comment’ sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihet autori e as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë para një viti, por para 13 vjetëve. 4 vitet e para pas shpalljes së pavarësisë ishte pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht”, ka thënë shefi i Qeverisë së Kosovës.

Tutje, Kurti tha se Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane.

“ Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kosova nuk ka dilema. BE-ja dhe NATO-ja janë edhe vlera, edhe destinimi ynë. Por në të njëjtën kohë raportet në Ballkan do të mund t’i rregullojmë me dialog parimor e të përgatitur mirë, ku Kosova është palë e jo temë dhe gjithashtu me barazi qysh në pikënisje. Jemi të bindur se vetëm dialogu ku qytetarët janë përfitues është dialog i vërtetë dhe i dobishëm që sjell marrëveshje të qëndrueshme dhe zbatueshme dhe jo mënyrat e vjetra ku preokupimi është si t’i shpëtohet lëkura një politikani apo tjetri”, ka deklaruar ai para gazetarëve”, tha ai.

https://www.facebook.com/110299813858/videos/2835117110080761

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme