Kurti nga Klina bën thirrje që të zbatohen rregullat e pandemisë

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka vizituar Klinën për të parë se si po përballet kjo komunë në luftën ndaj koronavirusit.

Bashkë me të ishin edhe ministrja e Arsitmit, Hykmete Bajrami, ai i Shëndetësisë Arben Vitia dhe dhe e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, njofton Klan Kosova.

Qeveritarët u pritën nga kryetari i komunës Zenun Elezaj, i cili ka falënderuar kryeministrin për vizitën dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve gjatë kësaj kohe të përhapjes së pandemisë.

Elezaj informoi kryeministrin për masat e ndërmarra nga komuna kundër përhapjes së virusit dhe përgatitjet që janë bërë nga Shtabi i Emergjencës dhe në veçanti për punën nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Policia dhe Qendra për Punë Sociale.

Ai tha se Klina megjithëse është komuna e parë ku është konfirmuar pacienti zero, duke ju falënderuar masave të ndërmarra dhe kujdesit dhe vetëdisiplinës që po tregojnë qytetarët gjatë kësaj kohë, ka ndikuar shumë pozitivisht në mospërhapjen e virusit në Klinë.

Ndërsa, Kurti falënderoi kryetarin për pritjen dhe e përgëzoi për masat e ndërmarra. Ai gjithashtu bëri thirrje të respektohen këshillat e ekspertëve shëndetësorë, që të mbahet distanca dhe higjiena.

Megjithatë, Elezaj tregoi edhe për sfidat me të cilat po përballet komuna dhe qytetarët, si problemi i furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe nevojën e përfshirjes të punëtorëve të KRU “Ambienti” në Pakon Emergjente.

Të ngjashme