Kurti: “Non-papers” vijnë nga Beogradi, mbase edhe nga Rusia

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që “non-papers” të cilat kanë qarkulluar kohët e fundit, vijnë nga Beogradi “mbase edhe nga Rusia”.

“Unë nuk besoj që autorët e këtyre “non-papers” janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht që jo SHBA-ja, por as kryeqytetet evropiane. Besoj që kjo vjen nga Beogradi e mbase edhe nga veri-lindja më tej”.

“Është interes i Federatës Ruse besoj që ta përdorë Ballkanin Perëndimor si platformë për ta sulmuar BE-në dhe NATO-n. Kjo është beteja politike. Unë përpiqem ditë e natë që të bind sa më shumë faktorë ndërkombëtarë se çka është e drejtë, e mirë dhe e dobishme”, ka deklaruar Kurti në një intervistë dhënë për televizionin publik nga Brukseli.

“Kemi kundërshtarë, por besoj se do t’ia dalim. Nëse keni parasysh qëndrimin e administratës së re amerikane, presidentit të ri Joe Biden, ai përdor togfjalënshin “njohja reciproke”. Çka do të thotë “njohja reciproke”? Do të thotë që Serbia nuk e njeh Kosovën, por njëkohësisht do të thotë se as Kosova nuk e njeh Serbinë. Kjo është esenca e problemit. SHBA-të kërkojnë njohje reciproke, pra që Serbia ta njohë Kosovë dhe një Serbi të tillë që e ka njohur Kosovë e njeh edhe Kosova pastaj”.

Tutje Kurti tha që lidhur me procesin e dialogut më shumë informata sipas tij, kanë marrë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak. sesa nga ish kryeministri Avdullah Hoti.

“Është e vërtetë që neve na mungon informacioni, sepse na mungon dokumentacioni. Procesi ka pasur shumë drafte, shumë marrëveshje dhe shumë hollësi, të cilat nuk i kemi gjetur tash kur jemi kthyer në zyrë. Ne po pajisemi me dokumente nga Bashkimi Evropian, qartazi deri tani kemi marrë më shumë informata nga ndërmjetësuesi Lajçak sesa nga ish-kryeministri që u rrëzua nga Kushtetuesja”.

“Sa herë që do të na shfaqet diçka që nuk e kemi ditur më herët, do t’i kemi rezervat tona. E kuptoj konfidencialitetin e bisedimeve, por konfidencialiteti i bisedimeve duhet të shoqërohet me transparencë. Qeveria e re nuk mund të marrë përsipër domosdoshmërisht zotimet e njëanshme, jo transparente të ekzekutivit të vjetër. Me Qeverinë e re mund të flitet për kapitullin e ri”, u shpreh Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme