Kurti nuk çoi komente, ZRRE-së i drejtohet Ministri Murati, me këto kërkesa për çmimin e rrymës

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Kryeministrit s’i ka dërguar komentet rreth propozimeve për shtrenjtimin e rrymës. Prej Qeverisë, ZRRE’së i është drejtuar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me disa kërkesa specifike. Thotë se barra duhet t’u shpërndahet edhe bizneseve dhe struktura tarifore të mos nis me 600kWh. Më poshtë gjeni propozimet e plota të ministrit Murati

Dje në orën 16:00, ka përfunduar afati për dorëzim të komenteve lidhur me propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtim të rrymës. Por, në faqen zyrtare të Zyrës së Rregullatorit për Energji, nuk figurojnë komentet e Zyrës së Kurtit.

Petrit Pepaj nga ZRRE ka thënë për Gazetën Express se s’kanë pranuar komente nga Zyra e Kryeministrit, por nga dy ministri.

“Nga zyra e Kryeministrit nuk kemi pranuar komente, komentet nga Qeveria e Republikës së Kosovës i kanë dorëzuar; Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.

Çfarë ka propozuar ministria e Financave?

Porpozimin aktual të ZRRE’së, ministria e udhëhequr nga Hekuran Murati, e ka konsideruar shpërndarje të padrejtë të barrës.

“Propozimi i ZRRE ka paraparë që ndryshimi i strukturës tarifore të bëhet vetëm për amvisëritë, duke anashkaluar bizneset, gjë që e konsiderojmë shpërndarje të padrejtë të barrës. Për më tëpër, blloku i ri tarifor i propozuar fillon në konsumin mbi 600kWh mujor, gjë që e konsiderojmë tëpër të ulët, sidomos kur merret parasysh fakti që ky ndryshim po propozohet të bëhet brenda një afati kaq të shkurtë”, thuhet në letër.

Nga kjo ministri, kanë dalë me dy propozime për ZRRE’në. I pari është që të ngritet pragu i bllokut të parë në 1 mijë kWH, 500 kWh për Tarifën e Ultë dhe 500 kWh për Tarifën e Lartë.

“Për t’u siguruar se struktura e re tarifore për amvisëritë nuk rezulton në kosto të papëerballueshme për shumicën e familjeve, propozojmë që tarifat e bllokut të dytë të fillojnë tek pasi të jenë konsumuar 1,000 kWh, konkretisht 500 kWh me tarifën e lartë dhe 500 kËh me tarifën e lirë”, ka qenë propozimi i MFPT’së.

Propozimi tjetër ka qenë që barra të shpërndahet edhe tek bizneset.

“Në këtë frymë, nëse do të aplikohej barra e njejtë sikurse për amivërsitë, proporcionalisht me tarifat ekzistuese, atëherë do të duhej që me tarifat e reja për bizneset të gjeneroheshine edhe rreth 17 milionë euro shtesë, mbi tarifat aktuale. Tarifat e reja do të duhej të zvogëlojnë dallimet në mes të kategorive të bizneseve, të cila aktualisht janë tejet të mëdha nëse krahasojmë ta zëmë tarifat për 0/4 kËh Kategorinë 1 (bizneset e vogla me 10.71 centë/kWh) dhe Kategorinë 2 (supermarketet me e6.69 centë/ këh), ku dallimi shkon deri në 60 përqind”, thuhet në letrën e ministrisë drejtuar ZRRE’së.

Sipas kësaj ministrie, në të dyja rastet, subvencionimi i zotuar i Qeverisë prej 75 milionë euro do të mjaftonte për të mbuluar hendekun e mbetur pas përshtatjeve sipas propozimeve që kanë paraqitur.

Me propozimin e ZRRE’së, energjia elektrike do të shtrenjtohej për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh energji elektrike.

Sipas këtij propozimi, tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj do të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, derisa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, do të përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Të ngjashme