Kurti: Pagën minimale do ta rrisim në 250 euro

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri Albin Kurti, ka premtuar se pagën minimale në vend do ta bëjë 250 euro, duke thënë se do përjashtojë nga tatimi në të ardhurat pensionale.

Kurti ka thënë se do krijojë mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe do bëjë përafrimin e tregut të punës me arsimin profesional.

“Ne kemi fituar duke premtuar punësim e drejtësi, tani do të punojmë për t’i sjellur të dyja këto sidomos në tregun e punës. Do të krijojmë kushte që mundësojnë dhe lehtësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Do të punojmë me prioritet për punësimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve joshumicë. Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri Kurti ka premtuar pesëfishimin e numrin të inspektorëve në vende të punës.

“Qeveria jonë do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve. Do të sigurohemi që zhvillimi i ekonomisë dhe riindustrilizimi i vendit të shkojnë paralel me përmirësimin e kushteve për organizim sindikal të punëtorëve, sidomos në sektorin privat ku një gjë e tillë është tejet e nevojshme. Do të punojmë bashkë që punëtorëve t’u mundësohet punësimi, e punës së tyre virtyti e dinjiteti”, ka shkruar tutje.

Të ngjashme