Kurti pas rrëzimit: Mocioni porosi e Grenellit, 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë jetët e qytetarëve

Prishtinë | 26 Mar 2020 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas rrëzimit të mbrëmshëm të qeverisë, për të cilën tha se ishte rënie e domosdoshme për ngritje të nevojshme.

Ai mocionin e mosbesimit e ka quajtur porosi të emisarit amerikan, Richard Grenell, derisa për 82 deputetët që votuan pro këtij mocionit, tha se janë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve për shkëmbim territoresh.

Kurti shkroi se do të vazhdoj punën si qeveri në detyrë, e jo si qeveri e detyruar.

Mes tjerash, Kurti kërkoj luftimin e pandemisë Covid-19, Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.

Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.

Të ngjashme