Kurti pas votimit për pagën minimale: Përfituan 380 mijë punëtorë

Prishtinë | 14 Qer 2022 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të projektligjit për pagën minimale. Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se është një lajm i mirë për qytetarët lirimi i tatimit të të ardhurave deri në pagën minimale.

Kreu i Qeverisë tha se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100 për qind, ndërsa 380 mijë punëtorë të sektorit publik e privat përfitojnë nga lirimi i tatimit të të ardhurave deri në shumën e pagës minimale.

“Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat, përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plotë 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publikë përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, ka shkruar Kurti.

I pari i ekzekutivit, gjithashtu, ka uruar anëtarët e sapozgjedhur të Komisionit për Autoritetin e Konkurrencës. Ai tha se kjo është hera e parë që në krye të këtij komisioni është një grua.

“Ky institucion ka rëndësi të madhe në mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në vend. Rëndësia e tij rritet edhe më shumë tani që po përballemi me një periudhë inflacioni”, tha ai.

Kurti njoftoi se me miratimin e Projektligjit për Provimin e Jurisprudencës, për herë të parë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit mund t’i nënshtrohen këtij provimi.

E nga sot, me miratimin e Projektligjit për Provimin e Jurisprudencës, për herë të parë këtij provimi do të mund t’i nënshtrohen edhe kandidatë nga trojet tjera shqiptare, duke përfshirë këtu shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Të ngjashme