Kurti: Pavarësia e ShBA-së, si frymëzim për lëvizjet anti-koloniale

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 14:28 | Nga

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje me anë të një postimi në llogarinë e tij ën Facebook ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e shënimit të përvjetorit të 241-të të pavarësisë.

“Në 4 Korrik përkujtohet pavarësimi i amerikanëve prej sundimit kolonial e imperial, pavarësim që u arrit përmes luftës për liri dhe sakrificave e idealeve të shumë njerëzve me në krye Xhorxh Uashingtonin”.

“Pavarësimi i ShBA ndryshoi politikën globale dhe ishte hap i rëndësishëm i historisë botërore në dy aspekte, së pari në betejën anti-koloniale, ku perandorisë iu kundërvu pavarësia, së dyti në betejën për demokraci, ku monarkisë iu kundërvu republika”.

“Si e tillë pavarësia e ShBA ka shërbyer si frymëzim për lëvizjet anti-koloniale e republikane kudo në botë.Me presidentin Uillson i cili artikuloi doktrinën për vetëvendosjen e popujve, në fillim të shekullit XX, ShBA vendosi t’i shtrijë universalisht vlerat e pavarësisë e të demokracisë. Ishte Uillsoni ai që e bëri të qartë se ShBA nuk do t’i njihte traktatet e fshehta, me të cilët shtetet e fuqishme copëtonin popujt e vegjël, duke shpëtuar kështu ekzistencën e Shqipërisë”.

“E mbi të njëjtin parim, presidenti Klinton e më pas presidenti Bush i riu, ndihmuan betejën për çlirim e pavarësi të shqiptarëve në Kosovë. Në këtë ditë, duke pohuar nevojën për zgjerim e thellim të partneriterit të Kosovës dhe shqiptarëve me ShBA, ne pohojmë përkushtimin tonë tek vlerat e pavarësisë, republikanizmit, demokracisë dhe të drejtës për vetëvendosje për popullin tonë e gjithë popujt e tjerë”, ka shkruar Kurti .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme