Kurti për aksionin në veri: S’veprojmë për destabilizim, s’flas si Thaçi – “we are not problematic guys”

Prishtinë | 20 Sht 2021 | 11:13 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, tha se vendosja e “tabelave provuese” për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë nuk ka për qëllim destabilizimin e situatës, raporton Ekonomia Online.

Kurti në seancën e Kuvendit, para deputetëve shtoi se të gjitha tableta do të zëvendësohen, duke sqaruar se veprimet nuk janë kundër serbëve të veriut.

Krejt ky aksion, thotë ai është vetëm zbatim i marrëveshjes që e ka pranuar edhe vet Serbia.

Ai me këtë rast ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi nga të gjithë, raporton EO.

“15 shtatori i ketij viti, ka qenë data e fundit e që veturat me targa KS do të hyjnë nga Serbia në Kosovë. 5 ditë nga kjo datë, MPB sot ndërmori aksionin për konfiskimin e këtyre tabelave. Pavarësisht çfarë nacionaliteti janë ato tabela, duhet të konfiskohen që do të pajisen me tabela të përkohshme”.

“Si kryeministër iu siguroj se veprimet në veri për, nuk janë drejtuar ndaj qytetarëve serb e as nuk ka të bëjë me ndonjë destabilizim. Pres nga qytetarët se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, por që po fillon implementkmi i një marrëveshje që është pranuar nga vetë Serbia”, u shpreh Kurti.

Kurti foli edhe për miqësinë me ShBA-në. Përmendi miqësinë që e ka me presidentin Joe Biden, teksa tha se atë në zgjedhjet presidenciale e kishte mbështetur publikisht, raporton EO.

Ai ka kujtuar deklaratën e ish-presidentit Hashim Thaçi, “we are not problematic guys”, duke thënë se nuk flet si ai.

Sa i përket miqësisë me presidentin amerikan, unë jam i vetmi kryetar partie që publikisht e kamë mbështetur kandidaturën e presidentit Biden, nderkaq ka nga ju që keni parë fillimisht se kush po fiton”, tha Kurti.

“Sa i përket dialogut, unë veçse po ju kujtoj deklaratën e ish-presidentit tuaj dhe ish-kryetarit të PDK, ku thoshte ‘we are not problematik gay’, pra aty ai fliste në emër të të dyve dhe prej aty ju si parti e keni marrë teposhtën”, tha Kurti teksa plasën të qeshura nga deputetët e VV-së.

Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç kanë vepruar autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë.

Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

15 shtatori i vitit 2021, ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat, përveç atyre “RKS”. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave “KS” sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide.

Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes mbi lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës, sikurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë poseduesit e makinave me tabela jovalide, ato po konfiskohen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës, automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme.

Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, u pat arritur në vitin 2011, për lëvizje të lirë e që u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016. Që nga ajo kohë, Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe lehtësimin e procesit për regjistrimin e automjeteve. Është kompletuar infrastruktura administrative për lëshimin e dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve. Janë bërë edhe plotësimet dhe ndryshimet ligjore për të lehtësuar regjistrimin e automjeteve nëpërmjet një sërë veprimesh.

Një ndër këto veprime ishte zgjatja e validitetit të tabelave “KS” për 5 vite, përkatësisht deri më 15 shtator 2021, kur ishte paraparë të jetë afati i fundit i heqjes nga përdorimi i këtyre tabelave, sikurse edhe i tabelave me akronimet “KM” (për Mitrovicën e Kosovës), “PR” (për Prishtinën), “UR” (për Ferizajn), “PZ” (për Prizrenin) dhe “GL” (për Gjilanin).

Të dashur qytetarë e të nderuar deputetë,

Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë.

Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim t’i cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot por edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga unë si kryeministër i saj. Pres nga të gjithë qytetarët që ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodhë asgjë e jashtëligjshme apo diskriminuese. Sot, vetëm po fillon zbatimi i një marrëveshjeje për të cilën është pajtuar Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian, sepse liria e lëvizjes është edhe e drejtë njerëzore e civile por edhe vlerë evropiane.

Andaj, i lus qytetarët serbë, të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë, pa shqetësime dhe brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.

Ju të gjithë jeni qytetarë të barabartë të këtij vendi, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet.

Barazia për neve është vlerë të cilën e zbatojmë në praktikë dhe le të angazhohemi së bashku për të mirën tonë të përbashkët.

Në fund më lejoni vetëm të tregoj se si ky trajtim i barabartë bëhet me këto tabela të përkohshme të cilat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Pra, këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata të cilët vijnë me tabela të tjera, ndërkaq ka 10 vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto, as këto, mirëpo derisa të ketë këso, do të ketë edhe këso. (Kryeministri ka prezantuar në Kuvend tabelat e përkohshme që nisën të përdoren nga sot v.j)

Faleminderit.

Të ngjashme