Kurti për deklaratat e Muratit: S’jam komentues dhe temat e para shumë vjetëve nuk mund të jenë prioritet për mua

Prishtinë | 01 Kor 2022 | 10:37 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e ministrit të tij, Hekuran Murati, të bëra vite më parë, kundër UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se nuk është komentues dhe se komente të tilla ka thënë se nuk mund të jenë prioritet i tij.

“Unë jam kryeministër por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeveris me vendin për çështje madhore, dhe çka shkruajnë komentuesit për tema të shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti.

Sa i përket të pagjeturve, shefi i ekzekutivit tha se do të jetë prioritet i Qeverisë së tij. Tha se gatishmërinë e kanë por që jo gjithçka varet nga ta.

“Padyshim që çështja e të pagjeturve është prioritet për qeverinë. Ata janë të zhdukur me dhunë dhe do të bëjmë maksimumin që kjo çështje të zbardhet sa më parë sepse ankthi i familjarëve është më i madh sesa pikëllimi i tyre që nuk është vetëm i tyre. Ne kemi gatishmëri dhe interesim por nuk varet vetëm nga ne”, tha ai.

Gjithashtu, kryeministri foli edhe për komentet e të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, që shprehu se situata tashmë ka ndryshuar pas vendimit qeveritar për reciprocitet për letërnjoftime dhe për afatin për regjistrimin e veturave me targa të vjetra.

Kurti, deklaroi se dikush në Bruksel mund të jetë trembur pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se mund të tërhiqen nga dialogu mes dy vendeve.

“Edhe Lajcak ka qenë vazhdimisht i njoftuar me veprimet tona. Unë e di qe ekziston një plan për takime edhe të kryenegociatorëve ndoshta edhe më shumë se aq, vetëm ta shohim se si dhe sa do të mund të përgatiten në Bruksel. Jemi të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke në qendër. Por problemi mbase qëndron tek paralajmërimet nga Beogradi se ata mund te dalin nga dialogu. Mendoj se po bëjnë gabim dhe kjo mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, tha ai.

Këto komente ai i bëri pas pjesëmarrjes së tij në tryezën “Kosova si shoqëri shumëgjuhëshe”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme