Kurti për mësimin online: Rast që si shoqëri marrim pjesë në arsim dhe edukim

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për fillimin e mësimit online për nxënësit në Kosovë.

Përmes një statusi në Facebook ai ka thënë se është ky një rast “që të gjithë si shoqëri të marrim pjesë në arsim dhe edukim, si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës”.

“Filluam pra me mësimin online dhe përmes televizionit. Në RTK1 dhe RTK4, si dhe nga kompjuterët e lidhur me internetin, fëmijët filluan të ndjekin lëndët e tyre mësimore. Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë. Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15”, shkruan ai.

Kurti po ashtu është zotuar që Qeveria e tij të përkujdeset që të ketë energji elektrike në tërë territorin e Kosoëvs.

Të hënën ka nisur mësimi online për nxënësit në Kosovë, për herë të parë që nga mbyllja e shkollave, në kuadër të masave parandaluese ndaj Coronavirusit.

Siç ishte bërë e ditur edhe nga Ministria e Arsimit të dielen, mësimi fillimisht do të zhvillohet vetëm në lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikës, për nxënësit e klasave 1-5, derisa gjatë kësaj jave do të nisë të punohet edhe në programet e klasave 6-9.

Mësimi është transmetuar të hënën në mediumin publik RTK, në orën 11:15 derisa do të ritransmetohet në RTK4 më 16:00.

Të hënën, janë transmetuar këto mësime:

Klasa 1: Gjuhë Amtare – Shkronja C; Matematikë – Gjysma dhe Çereku

Klasa 2: Gjuhë Amtare – Emri; Matematikë – Shumëzimi i numrave

Klasa 3: Matematikë – Kuptimi i nënbashkësisë; Gjuhë Amtare – Zgjedhimi i foljeve në kohën e tashme

Klasa 4: Matematikë – Pjestimi i numrave treshifrorë, me një numër njëshifrorë; Gjuhë Amtare – Përpunim i poezisë “Pranvera”

Klasa 5: Gjuhë Amtare – Lakimi i emrave mashkullorë; Matematikë – Matja e kohës, njësitë matëse

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme