Kurti për takimin me Vuçiqin: Ishte darkë pune, s’jemi kundër dialogut por kërkojmë trajtim të barabartë

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 18:33 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi i mbrëmshëm në Berlin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë darkë pune dhe është biseduar për takimin e 13 majit ndërmjet dy kryenegociatorëve, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se shpreson që në këtë takim, të arrihet marrëveshje sa i përket targave.

Ai ka theksuar se në parim nuk janë kundër dialogut por që kërkojnë që palët e përfshira në të të trajtohen të barabartë.

“Unë mbrëmë kam përfaqësuar vullnetin e popullit, gjithnjë duke e pasur për dysheme dhe tavan kushtetutshmërinë dhe ligjin e Kosovës. Pavarësisht se a ka darkë apo jo dhe çfarë darke unë i këtillë jam. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj dhe me shumë krenari”, është shprehur Kurti.

Ai ka shtuar se në atë darkë nuk ka pasur gjella, ndërsa ka theksuar se ka qenë barazi mes palëve.

“Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme, pra ka qenë barazia e palëve. Dhe i kemi diskutuar temat midis kryenegociatorëve. Më 13 maj unë shpresoj që përfundimisht t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhjen e targave, edhe për mospagesën e energjisë në veri, dhe për të të zhdukurit”.

“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, do të ketë edhe elemente tjera, por të cilat nuk mund të kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja reciproke”, tha Kurti në konferncën e përbashkët me Ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë.

“Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur është çliruar, as para vitit 2008 kur ka shpallur pavarësinë, as para vitit 2010 kur është dhënë opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , kur e vlerësoi pavarësinë legjitime, as para vitit 2012 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë”.

“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara, Presidenti i Serbisë duhet të distancohet edhe nga Millosheviqi edhe nga Putini. Kërkesa për kompromise, kur thotë se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, teksa nuk distancohet nga Millosheviqi e Putini, nuk është kërkesë për zgjidhje”.

Kurti tha se nuk janë në parim kundër dialogut, porse nuk duan dialog pa parime.

“Ne nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një nga parimet është barazia e palëve. Në atë darkë, nuk kemi pasur gjellëra të ndryshme. Ka qenë barazia e palëve dhe e kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit mes kryenegociatorëve”, shtoi Kurti.

Mes tjerash, ai shpreson që më 13 maj kur do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e dy vendeve Kosovë-Serbi, të zgjidhen çështja e tarave dhe mos-pagesës së energjisë elektrike në veri të vendit.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhjen reciproke të targave si dhe mos-pagesës së energjisë në veri dhe po ashtu për nevojën për të përshpejtuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në luftë”.

Po ashtu, ai tha se darka jo-formale e djeshme në Berlin ishte darkë pune e organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Të ngjashme