Kurti po dëshiron të bëhet “babai i kombit”

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 21:32 | Nga Ekonomia Online

Politologu Ardian Kastrati ka thënë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me veprimet e tij në negociatat me LDK-në për formimin e qeverisë dhe veprimet tjera para e pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ka treguar se dëshiron të bëhet “babai i kombit”.

Sipas Kastratit, “kurtizimi” i proceseve politike ka nisur qe një kohë. Ai ka thënë në Rubikon të KTV-ja se Kurti po synon diçka më shumë se marrjen e pushtetit.

“Çështja është te ‘kurtizimi’ i proceseve politike. Shihni trajektoren e udhëtimeve nëpër Ballkan. Ato 67 intervista në Tiranë. Zbritja graduale e narracionit nacionalist në Tiranë në terma anti-korrupsion dhe simbolika e Blerim Rekës dhe takimet e tij, sepse analizat i bëjmë pak me informatë pak me analizë… Ky në rrugën e tij për t’u bërë baba i kombit i është dashur kalaja e Ahtisarit për të cilën u zhagit nëpër trotuaret e Prishtinës. Kur e merr këtë kala ai shpërthen në projeksionin e madh, rajonal. Të dalim nga kutia se a i merr pesë ministri apo çka. Jo rastësisht, ‘kurtizimi’ si proces ka filluar dhe ai e tejkalon Kurtin si figurë politike”, ka thënë Kastrati.

Sipas Kastratit, Kurti ka keqpërdorur LDK-në dhe Vjosa Osmanin para dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Brutalisht e ka keqpërdor Vjosën si kolonë e pestë në LDK. Edhe para zgjedhjeve jo veç pas zgjedhjeve sepse e futi në diskursin ku Vjosa në vend se të merrte tonin e moderuar në fushatë, ajo mori diskursin me kritika e sharje ndaj ish-qeverisjes, e Albini doli në gjuhë më të moderuar. Kjo ishte humbja e parë. E di që është këmbëngulës në objektivat e tij. Është projeksion për të qenë baba i kombit. E ka keqpërdorur LDK-në”, ka deklaruar më tej Kastrati.

Sipas tij, nëse s’do të ketë qeveri Kurti, do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse.

“Nëse nuk do të ketë qeveri Kurti, e unë them ishalla ka, unë them që do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse, kjo për shkak se do të ketë presion ndërkombëtar për lidhur me procesin e dialogut. Jo rastësisht janë shtyrë zgjedhjet në Serbi”, ka thënë Kastrati.

Të ngjashme