Kurti premton marrëveshje me Mustafën para seancës konstituive

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 07:56 | Nga Ekonomia Online

Finalizim të marrëveshjes për koalicion para seancës konstituive është zotuar se do të ketë me LDK-në pretenduesi për kryeministër Albin Kurti. Seanca e parë konstituive është thirrur nga presidenti më 24 dhjetor.

Kurti është shfaqur optimist, megjithëse nuk ka zbuluar asnjë detaj nga takimi i një dite më herët me Isa Mustafën, ku palët i ritheksuan dallimet për postin e presidentit, për të cilin LDK-ja insiston të jetë pjesë e marrëveshjes.

Intensifikimi i takimeve ditëve në vijim është pajtimi i vetëm që, sipas zyrtarëve të këtyre partive, ka dalë nga takimi dyorësh mes Mustafës dhe Kurtit.

“Ne jemi duke u përgatitur që të qeverisim mirë. Sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK-në, nuk mund të kemi lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët, po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim, do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë. Kur t’i kemi rezultatet konkrete jap lajme të reja, por nuk ka rezultate konkrete”, ka thënë Albin Kurti, pas një takimi me Shoqatën e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), ku u diskutua për sigurimet shëndetësore, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kryeparlamentarin, e drejta për ta propozuar kandidatin për këtë pozitë i takon vetëm partisë fituese – këtë rast Vetëvendosjes.

Eksponentë të kësaj partie kanë paralajmëruar të mos e nxjerrin kandidatin nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në. Kjo rrethanë do ta përsëriste ngërçin e shkaktuar në vitet 2014 dhe 2017, pasi fituesi i zgjedhjeve nuk e propozonte kandidatin për shkak të mungesës së numrave.

Të ngjashme