Kurti pritet nga kryeministri japonez, i bën ftesë ta vizitojë Kosovën

Prishtinë | 28 Sht 2022 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti është pritur nga homologu i tij japonez Fumio Kishida, në ditën e tij të dytë të qëndrimit në Tokio.

Kurti tha se i ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe, si dhe ka falënderuar për ndihmën që Japonia e bën për Kosovën.

“Në ditën e dytë të qëndrimit në Tokio, në rezidencën shtetërore në Pallatin Akasaka, na priti për vizitë Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida. I shpreha edhe njëherë ngushëllime në emër të popullit dhe qeverisë së Kosovës për vdekjen tragjike të ish Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe e falënderova për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme japoneze për zhvillimin e Kosovës. Tregova për të arriturat socio-ekonomike të Kosovës dhe interesimin tonë për investime nga Japonia, teksa konfirmova pjesëmarrjen tonë në EXPO Osaka 2025”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tha se Japonia është vend shumë i rëndësishëm i G7, me të cilën Kosova ndan pikëpamje të njëjta vlerore dhe strategjike.

“Në fund të takimit Kryeministri Kishida më tha të përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës, kurse unë e ftova ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt”.

Kurti për qëndron për të dytën ditë në Japoni dhe me vete ka edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Për këtë vizitë Kurti u kritikua nga opozitarët, të cilët e akuzuan për braktisje të vendit në kohën kur nxënësit po privohen me javë nga mësimi, si dhe problematikat tjera në vend.

Të ngjashme