Kurti priti ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

Prishtinë | 30 Mar 2021 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci pritën sot në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Ambasadorja Lobbezoo e uroi kryeministrin Kurti për përqindjen e lartë të fitores në zgjedhje dhe për marrjen e detyrës. Ajo e përgëzoi edhe për shembullin inkurajues që u ka dhënë qytetarëve me marrjen e vaksinës kundër Covid-19.

Kryeministri Kurti tha se sado që në sasi të vogël kontingjenti i parë i vaksinave ka sjellë shpresë në Kosovë.

Kryeministri Kurti dhe ambasadorja Lobbezoo biseduan edhe për gjendjen e agrokulturës në Kosovë dhe që të dy u pajtuan se duhet një qasje e re ndaj prodhimit vendor dhe stimulimit të prodhuesve. Kryeministri Kurti tha se duhet bashkëpunim më i ngushtë i institucioneve të larta arsimore me fermerët në mënyrë që të rritet produktiviteti.

Ambasadorja Lobbezoo e njoftoi për projektet që Qeveria e Holandës është duke i implementuar në Kosovë në fushën e blegtorisë dhe prodhimit të qumështit.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës.

Të ngjashme