Kurti: Prodhuesit kanë probleme me mungesën e ekspertëve e gjetjen e tregjeve të reja

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 10:31 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës Subvencionimi i Kredive Investive dhe masës Mbështetje e eksportit, nga Pako e Ringjalljes Ekonomike, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se ekonomia ka pasur rritje si ndonjëherë më parë, duke shtuar se ka pasur rritje të eksporteve, dhe shtim të aktivitetit.

Sipas tij, në takimet që ka pasur me prodhuesit, ata i janë ankuar se janë detyruar të angazhojnë ekspertë nga jashtë për punë të caktuara.

Madje ai tha se ankesa ka  marrë edhe për pabarazi në treg e gjetjen e tregjeve të reja, probleme këto për të cilat premtoi zgjidhje nga Qeveria.

“Prodhuesit janë detyruar të angazhojnë ekspertë nga jashtë, problem tjetër është pabarazia për shkak të buxhetit milionësh për marketing, problem tjetër është edhe gjetja e tregjeve të reja”.

“Ekonomia si asnjëherë më parë nuk ka pasur rritje më të madhe ku eksportet janë rritur mbi 60%, aktiviteti mbi 30% e pastaj të hyrat buxhetore për 34%”.

“Pandemia na dëshmoj se prodhimi ka rol kyç nga aspekti i krijimeve të qëndrueshme të punës, dhe prodhuesit na kanë dëshmuar që puna e tyre nuk ka munguar asnjëherë tek ta, por dora e ndihmës së shtetit ka munguar”.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Të dashur qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të prodhuesve, afaristë vendës,

Të nderuar gazetarë,

Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind, dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit.

Aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind e po ashtu janë arritur edhe të hyrat buxhetore për 34 për qind.

Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë, është motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi.

Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës e që përkthehet në rritje të aktivitetit ekonomik në vend dhe si rezultat edhe rritje të mirëqenies qytetare.

Pasojat ekonomike të pandemisë të cilat po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë: e para, si pasojë e shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve, shumë vende të Evropës po shohin vende që i kanë më afër si eksportues potencialë. Dhe e dyta, theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor ashtu që ekonomia e vendit të jetë e izoluar nga inflacioni i cili importohet së bashku me produktet që vijnë nga tregjet e ndara.

Pra, pandemia na dëshmoi se prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekonomike ashtu edhe për nga aspekti i krijimeve të vendeve të qëndrueshme të punës.

Pavarësisht nga kjo prodhuesit tanë kanë treguar se vullneti dhe puna e palodhshme nuk ka munguar asnjëherë, por është dora e shtetit, ajo e cila nuk ka qenë e pranishme.

Nga komunikimet me bizneset prodhuese, çdoherë na është theksuar, se njëra nga problemet kryesore, është qasja në financa dhe kostoja e financimit, e po ashtu që janë të nevojshme kapacitetet njerëzore në procesin e prodhimit.

Jo rrallë herë, më ka ndodhur të dëgjoj nga prodhuesit tanë se janë detyruar të angazhojnë ekspertë, teknologë, kimistë, edhe nga vendet tjera, në mënyrë që ta sigurojnë cilësinë e produktit të tyre.

Pra, ekonomia me prodhimtari cilësore, do edhe profesionistë e ekspertë të lartë.

Gjithashtu, problem tjetër i cili është vënë në pah gjatë këtyre takimeve të shumta, është pabarazia me konkurrencën që vije nga jashtë, për shkak të produkteve të kompanive me buxhete milionëshe të marketingut.

Sfide tjetër është edhe gjetja e tregjeve të reja për eksport dhe plasimi i produktit në këto tregje.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar, që ta vëmë në lëvizje tërë kapacitetin diplomatik, për t’iu ndihmuar prodhuesve tanë, për të gjetur tregje të reja jashtë vendit, por deri sa të arrijmë aty, duhet të kemi edhe kapacitetet e nevojshme prodhuese brenda vendit, ashtu që të ripozicionohemi në zinxhirin global të furnizimit, i cili po përshtatet pas pandemisë.

Në linjë me Programin e Qeverisë dhe për të arritur këto synime, kemi përgatitur një sërë masash në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për të cilën do t’ia jap fjalën ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, zotëri Hekuran Murati, që t’i prezantojë, e më pastaj do ta hapim diskutimin edhe me juve të nderuar pjesëmarrës.

Ju faleminderit.

Të ngjashme