Kurti: Programi qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Plani i Punës së Qeverisë së shpejti do të miratohet  dhe do të dërgohet edhe në Kuvend për diskutim.

Ai ka thënë se gjatë ditëve të fundjavës së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritarë është diskutuar për programin qeverisës, i cili sipas tij do të përmbush kërkesat e qytetarëve.

Postimi i plotë i tij:

Të shtunën dhe të dielën, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë̈. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht. Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim.

Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësur ndryshimin, kurse me punën tonë, qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme