Kurti proklamoi zvogëlimin e ministrive, tani po bën emërime të panevojshme politike

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 19:13 | Nga Besnik Tahiri

Besnik Tahiri, ish-koordinator për Reforma Shtetërore në Qeverinë Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, se po vazhdon me emërime të panevojshme politike nëpër qeveri, duke emëruar këshilltarë dhe zëvendësministra.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, Tahiri ka theksuar se këto emërime tani kur Qeveria është shkarkuar nuk mund të sjellin asnjë dobi për vendin, përveç krijimit të shpenzimeve të panevojshme financiare të cilat do të rëndojnë buxhetin e shtetit.

POSTIMI I PLOTË NË FACEBOOK:

Zvogëlimi i numrit të ministrive ishte njëri ndër vendimet e Kryeministrit Kurti të cilin e përkraha publikisht, pasi që ishte edhe në përputhje me parimet e proklamuara në Draft-Ligjin për Qeverinë, i cili ishte përgatitur nga ekipi im gjatë kohës kur kam udhëhequr reformën shtetërore një vit më parë.

Fatkeqësisht, tani edhe ky vendim po e humb efektin e vet pasi që Kryeministri në dorëheqje po vazhdon me emërime të panevojshme politike nëpër qeveri, duke emëruar këshilltarë dhe zëvendësministra të cilët tani kur Qeveria është shkarkuar nuk mund të sjellin asnjë dobi për vendin, përveç krijimit të shpenzimeve të panevojshme financiare të cilat do të rëndojnë buxhetin e shtetit.

Në këtë kohë Kosovës nuk i duhen emërimet politike, por qeveri efektive që prioritet mbi prioritete e ka luftën kundër COVID-19.

Të ngjashme