Kurti: Qeverisja e PDK-së e la Kaçanikun pa fabrika

Kaçanik | 01 Tet 2017 | 21:36 | Nga

Në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje! në Kaçanik, deputeti Albin Kurti ka thënë se kjo komunë i ka sektorë kryesorë industrinë dhe bujqësinë, por ka theksuar se në Kaçanik mungon zhvillimi e luëzon papunësia. Ai ka kujtuar privatizmin e fabrikave, për çfarë pati akuza në adresë të PDK-së.

“PDK-ja, kjo parti e privatizuesve, ose i ka shitur fabrikat, ose i ka blerë ato, ose i ka shitur dhe i ka blerë ato”, ka thënë Kurti, duke përmëndur shkatërrimin e tyre pas privatizimit, nga i cili proces ai tha se mbetën pa punë edhe shumë njerëz.

Kurti më tej tha se qeverisja e Vetëvendosjes do të merr masa për t’u rritur fermat dhe do të nxitet bashkëpunimi mes bujqve, që më pas të rriten edhe rendimentet. Ai tha se me me qeverisjen e Basri Kodrës, arat do t’iu kthehen bujqve.

Ai më tej ka shtuar se një kryetar që i ikë përgjegjësisë siç bën kryetari aktual, është kryetar në ikje, kurse ai kandidat që e do përgjegjësinë sikurse Basri Kodra, është kryetar në ardhje, duke ftuar kaçanikasit të votojnë Basri Kodrën dhe numrin 10.

Konjufca: Me 22 Tetor, Basri Kodra e merr përgjegjësinë për të qenë shërbyesi juaj i devotshëm

Image may contain: 1 person, crowd and indoor

Në tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kaçanik, deputeti Glauk Konjufca ka thënë se pjesëmarrja masive e qytetarëve në tubimin e sotëm është paralajmërimi se Basri Kodra do të jetë kryetar i kësaj komune.

Konjufca tha po ashtu se Kaçaniku njihet si vend i njerëzve të ndershëm e punëtorë, por tha se i është zënë fryma nga matrapazlleqet e Xhabir Zharkut. Ai ka ironizuar me qeverisjen e këtij të fundit duke ia kujtuar mbjelljen e palmave në këtë vend malor, kurse për kryetarin aktual Besim Ilazi, Konjufca ka thënë se ai ka krijuar mosbesim duke mos mundur të çlirohet nga trashëgimia e Xhabir Zharkut.

“Me 22 Tetor, Basri Kodra e merr përgjegjësinë për të qenë shërbyesi juaj i devotshëm”, ka thënë Konjufca para kaçanikasve, duke përmendur aktivitetin e tij politik ndër vite, të cilin e ka quajtur njeri të ndershëm e të drejtë.

Kodra zotohet se qeverisja e VV-së do të sjellë mirëqenie e barazi në Kaçanik

Kandidati për kryetar të Kaçanikut, Basri Kodra, në tubimin zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë komunë ka thënë se duke vepruar me diletantizëm e pa profesionalizëm, me klientelizëm e pa transparencë, pushteti i gjertanishëm e ka rrafshuar kulturën materiale dhe shpirtërore. Si pasojë, ai shtoi se sot ka histori pa trashëgimi dhe qytet pa arkitekturë, lumenj pa ujë e pyje pa drunj, ara djerrë e fusha pa bagëti, shkolla për mësues partie e nxënës e pa dije. Megjithatë, ai ka thënë se me 22 Tetor është koha kur kjo do të marrë fund.

“Vizionin tonë për të ardhmen e Kaçanikut, ne e mbështesim në dy premisa kryesore të cilat përbëjnë profilin e Kaçanikut. Ato janë: historia si lashtësi e rezistencë dhe gjeografia si pozitë, relief dhe klimë. Historia do të na e mundësojë zhvillimin e turizmit kulturor. Gjeografia do të na e mundësojë zhvillimin e turizmit mjedisor. Pozita do të na e mundësojë tregtinë, reliefi blegtorinë/bujqësinë, ndërsa klima mjekësinë”, ka thënë Basri Kodra në këtë tubim, duke shtuar se këto dyja do të përdoren për zhvillimin ekonomik, që mundëson mandej mirëqenie e përparim për të gjithë.

“Turizmi kulturor do të zhvillohet përmes ndërtimit të Qendrës Historike të Qytetit, e cila do t’ia ruaj Kaçanikut emrin e lavdishëm të qytetit historik. Turizmi mjedisor do të zhvillohet përmes ndërtimit të zonave për rekreacion, me shtigje për ecje dhe çiklizëm, për vizitorë, sportistë e alpinistë, nga vendi dhe rajoni”, është zotuar më tej Kodra.

“Do ta çlirojmë arsimin nga sundimi i padijes, do të çlirojmë mësuesit nga sundimi i mediokreve, do t’i mbrojmë nxënësit nga dhuna e anarkisë, do t’i qetësojmë prindërit nga brenga e pasigurisë. Do ta depolitizojmë plotësisht sistemi shkollor dhe jo vetëm, do të ngremë cilësinë në arsim me metoda të avancuara edukimi, do të investojmë me mend në përmirësimin e kushteve të shkollave: që ato të jenë, të ngrohta, të pastra, të bukura, funksionale dhe të sigurta. Me qeverisjen tonë mësuesi nuk do të ketë frikë më nga politika e as drejtori nga parapolitika. Me ne, drejtori do të jetë menaxher, mësuesi mësimdhënës, nxënësi mësimnxënës e prindi kujdestar dhe bashkëvendimmarrës”, ka thënë po ashtu Kodra, i cili është zotuar se Kaçanikut do t’i kthehet edhe kinemaja dhe teatri.

“Të gjitha këto ne do t’i bëjmë, me mendje e me zemër, sepse ne jemi shumë të vendosur dhe të palëkundur, jemi të patrembur dhe jemi të patundur! Jemi për shtet me sovranitet, jemi për rregull dhe për drejtësi, jemi për mirëqenie dhe barazi; Ne jemi atdhetarë dhe synojmë pikë-për-pikë bashkimin kombëtar”, ka përfunduar fjalën e tij, Basri Kodra.

Kadaj: Kodra është kryetari i duhur për Kaçanikun

Image may contain: 1 person, on stage and concert

Lëvizja Vetëvendosje! ka vazhduar sot fushatën zgjedhore në qytetin e Kaçanikut. Deputetja Donika Kadaj e cila mori pjesë në tubimin elektoral në këtë komunë, e ka quajtur Kaçanikun vend të besës, traditës, dinjitetit dhe historisë.

”Kohëve te fundit takuam mijëra njerëz e shtrënguam mijëra duar. Takuam gra e burra, pleq e të rinj, punëtorë e te papunë, bujq e blegtorë, mësuesë e profesorë, mjekë e infermierë, ndërmarrës e prodhues, dhe të gjithë pa dallim në e qanë hallin për mundësitë e humbura, për humbjen e shpresës, për lodhjen e zemërimin me politiken e vjetër”, ka thënë deputetja Kadaj në fillim të fjalës së saj.

Ajo tha tutje se edhe Kaçaniku ka vuajtur padrejtësitë, por shtoi se nga e gjithë kjo, e kuptuam sa e rëndësishme është përpjekja për ndryshim, për çfarë tha se është kauzë e përbashkët e njerëzve të mirë. Kadaj u shpreh se Kaçaniku dhe Kosova në përgjithësi, kanë nevojë për ndryshim substancial e jo zëvëndësim të emrave.

“E ne këtë moment të fitoreve të mëdha ne u përcaktuam që Alternativën tonë qeverisëse për komuna ta bartin mbi supe njerëzit më të devotshëm, te ndershëm, te dijshëm e te guximshëm. Basri Kodra – kryetari në ardhje. Njeriu ec me kokën lart e më kokën lart vdes veç një herë, frikacaku vdes çdo ditë ngapak, ikën, braktisë parimet, idealet e popullin, pastaj braktis edhe vendin. Basri Kodra është e kundërta, eshte personifikim i qendresës mu si kalatë , është personifikim i të mirës, i dijes e i shpresës”, ka thënë ndër të tjera, deputetja Kadaj e cila ka ftuar kaçanikasit që ta votojnë numrin 10 me 22 Tetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme