Kurti: Me qeverisjen tonë s’do të ketë haraç e korrupsion

Prizren | 21 Sht 2017 | 18:34 | Nga

Në tubimin e Vetëvendosjes në Prizren, para qytetarëve ka folur deputeti Albin Kurti, i cili u shpreh i bindur se 22 tetori do të jetë dita kur kjo komunë do të vendosë për Mytaher Haskukën kryetar të saj.

Ai tha se VETËVENDOSJE! nuk ka mundur të gjejë vend më të mirë se Prizreni për ta hapur fushatën.

Kurti tha se numri 10 do të jetë numri i fitores, me ç’rast tha se këtë numër që e ka VV në këto zgjedhje është numri që i përket neonit në sistemin periodik.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë si neoni, edhe fisnike, edhe ndriçuese”, tha deputeti Kurti, duke shtuar se VV nuk bën ndriçim elektoral, por angazhohet që ta largojë terrin e përditshëm.

Ai më tej shtoi se deri më sot komunat kanë qenë perjashtuese, dhe se ato kanë diskriminuar popullin, ndërsa shtoi se me qeverisjen e VV’së komuna do të jetë hapësirë që iu takon qytetarëve

“Me neve s’ka më haraç, e s’ka më korrupsion. Jo vetëm pse jemi të fortë, por pse jemi idealistë”, tha ndër të tjera Albin Kurti në Prizren.

E teksa foli për prioritetet qeverisëse të VV’së, ai bëri me dije se me qeverisjen e VV’së, toka bujqësore s’do të shndërrohet në toka ndërtimi.

“Kosova nuk ka as tokë për të shitur, as tokë për të lënë djerrë. Nuk ka ujë për të humbur e as ujë për të ndotur”, theksoi po ashtu Kurti.

Ahmeti: Modeli i Prishtinës do të përhapet në të gjitha komunat

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ishte sot prezent në hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore të VV’së në Prizren. Nga aty, ai u shpreh se modeli i qeverisjes së Prishtinës së shpejti do të përhapet jo vetëm në Prizren, por në gjitha komunat e Kosovës.

Ahmeti në Prizren ka prezantuar sukseset e Komunës së Prishtinës, por edhe sfidat me të cilat qeverisja e tij është përballur. Me këtë rast ai ka përmendur blerjen e autobusëve të rinj, shpërndarjen e shujtave për nxenës dhe strehimin e të varfërve.

“Me 22 tetor, përveç Prishtinës ne synojmë që ta vendosim vulën në të ardhmen politike të Republikës së Kosovës. Ajo vulë e ka zemrën në vete, e ka emrin e subjektit Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe kjo vulë do të fitojë në shumicën e komunave të Kosovës”, tha Shpend Ahmeti në tubimin në Prizren.

“Votoni për kandidatin e parë në listë sepse ai është kandidati i VETËVENDOSJE!’s”, ishte porosia e tij për Prizrenin, teksa bëri thirrje që prizerenasit t’i votojnë edhe kandidatët për asamble nga VV.

Ymeri: Jemi partia më e madhe, do të dalim fitues më 22 tetor

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka hapur zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 22 Tetorit në Prizren. Në tubimin zgjedhor që ka filluar në orën 17:00, përveç kandidatit për kryetar të kësaj komune, Mytaher Haskuka, i pranishëm është edhe kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Aida Dërguti, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, dhe dputetë e zyrtarë të tjerë.

Kryetari Visar Ymeri tha se po e nisim fushatë në Prizrenin e Lidhjes, në Prizrenin e historisë, kulturës, prodhimit, bujqësisë, zejtarisë, arsimit, qytetarisë, të Kosovës e gjithë shqiptarisë.

Ai shtoi se Prizreni sot është i katandisur, i demoralizuar, i keqtrajtuar e i shkatërruar nga PDK-ja, por theksoi se me qeverisjen e Mytaher Haskukës, kjo gjë do të ndryshojë, duke theksuar se Prizreni i nesërm do të jetë i rregulluar, i pastruar, i mbrojtur, i zhvilluar.

“Në komunë nis politika. Aty fillon të ndërtohet baza e marrëdhënies midis qytetarëve dhe shtetit, por edhe midis vetë qytetarëve me njëri-tjetrin. Qytetarët e organizuar rreth çështjeve të përbashkëta janë garanti më i mirë për funksionimin e Komunës”, tha Visar Ymeri para prizrenasve, duke marrë shembull qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë.

Kurse, nga Prizreni ai drejtoi kritika të ashpra për qeverisjen e partive të tjera nëpër komuna të ndryshme, duke marrë si shembuj të këqinj qeverisjen aktuale në Gjilan, Ferizaj, Vushtrri e qytete të tjera.

“Komuna është Komunë e mirëqenies. Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarit ia sjellin ujin, energjinë elektrike, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave, fushën e sportit”, shtoi po ashtu Ymeri, duke thënë se gjitha këto mundësohen vetëm me qeverisjen e VV’së nëpër komuna.

Me këtë rast, ai përmendi gjithë kandidatët për kryetarë komunash nga VV, të cilëve iu urojë fitore nga Prizreni.

“Ne sot jemi subjekti më i madh politik në Kosovë. Jemi grupi i parë parlamentar në Kuvendin e Republikës, prijmë në vota në shumicën e Komunave të Kosovës. Jemi të parët në listat zgjedhore me numrin 10. Do të dalim të parët më 22 tetor. Grupet tona të asambleistëve do të jenë më të mëdhatë në Asambletë tuaja komunale. Kryetarët nga VETËVENDOSJE! do t’i qeverisin Komunat tuaja. Për këtë ju uroj dhe përgëzoj. I uroj dhe përgëzoj banorët e secilës komunë veç e veç. I uroj e përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës. Urime fitorja!”, tha në fund të fjalës së tij, Visar Ymeri.

Dërguti: Vetëvendosje, opsioni për ndryshimin e vërtetë

Në tubimin e parë zgjedhor të VV-së në Prizren, deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se fillimi i fushatës në Prizren nuk ishte i rastësishëm.

“Po e bëjmë besëlidhjen me qytetarët e gjithë Kosovës për ndryshimin e madh që fillon në nivel lokal e do të përmbyllet shumë shpejt edhe në nivel qendror. Kësaj ngrehine të pushtetit të padrejtë e të korruptuar, duhet rrënuar themelet në bazë, në fshatra e qytete”, tha Aida Dërguti në Prizren.

Ajo shtoi se viti 2017 filloi mbarë, pasi që u rrëzua një qeveri shumë të dëmshme për Kosovën. E më tutje tha se mbarësia e këtij viti vazhdoi në zgjedhjet e 11 qershorit, ku ndodhi një revolucion përmes kutive të votimit, duke potencuar se një rritje të tillë nuk e ka përjetuar asnjë subjekt, asnjëherë në historinë e këtij vendi.

“Thuhet se ndryshimet e mëdha fillojnë me hapa të vegjël. Kështu e nisëm. Në zgjedhjet lokale të 2013 fituam vetëm një komunë. Për këto 4 vite Shpendi bashkë me ekipin dhe programin socialdemokrat të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dha shembullin e qeverisjes së mirë për qytetarët dhe bashkë me qytetarët. Këtij modeli të qeverisjes lokale ia kanë lakmi qytetarët anembanë Kosovës”, u shpreh Dërguti para qytetarëve të Prizrenit, duke shtuar se ndryshimi ka filluar, ai është i pandalshëm, si një lum që vërshon, duke u futur nën pragun e secilës shtëpi.

“Fitorja në zgjedhjet e përgjithshme po i prinë fitores nëpër Komuna. Le ta përmbyllim këtë vit me fitore, ashtu siç edhe e nisëm. Le të mbahet në mend viti 2017 si vit i kthesës së madhe në këtë vend. Dhe kjo është lehtë e realizueshme. Me 22 tetor para jush do të jenë listat me shumë opsione, por vetëm njëri është i saktë dhe është e lehtë ta gjeni. Opsioni për ndryshimin e vërtetë është ai i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që mban numrin 10. Me mendje e me zemër, vendosni për të ardhmen tuaj! Me 22 tetor, bashkë me të gjitha komunat edhe Prizrenin e besës dhe shpresës le ta shndërrojmë në qytetin e festës”, ishte porosia e deputetes Aida Dërguti nga Prizreni për qytetarët.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/haskuka-ne-prizren-jemi-bashkuar-mendje-e-zemer-per-ta-kthyer-shpresen/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme