Kurti: Reciprociteti për targat nuk do të bëhet kundër serbëve

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se reciprociteti që pritet të nisë nga shtatori për çështjen e targave ndaj qytetarëve serbë, nuk do të bëhet kundër serbëve.

Ai tha të dielën në “BBC World Service” se kjo është për respektim të ligjit e të reciprocitetit.

“Më 1 tetor shpresojmë që të mos kemi dokumente që nuk janë legjitime, pos atyre të njohura si “RKS” apo Republika e Kosovës. Një gjë e tillë nuk është kundër serbëve, por po bëhet për respektim të ligjit dhe të reciprocitetit”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, një nga faktorët që çoi në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve, është se më 1 gusht, Kosova ua lëshoi serbëve mbi dymijë dokumente me mbishkrimin “Republika e Kosovës”. Sipas tij, lëshimi i dokumenteve për 19 orë, u krye pa incidente e ankesa.

Kurti tha se për marrëveshjen e arritur të shtunën (27 gusht), kontribuuan shefi i BE-së për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kurti falënderoi edhe popullin e Kosovës për durim dhe mbështetje.

Sipas tij, Beogradi zyrtar po insiston në një lloj kompensimi për humbjen e Kosovës, e kjo sipas Kurtit, nuk po bëhet publikisht dhe zëshëm.

Ai u shpreh se pas përfundimit të luftës, një pjesë e serbëve mbeti në Kosovë, duke i shfrytëzuar dokumentet dhe targat e kohës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq.

“Milosheviqi nuk e nisi luftën vetëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës, por edhe ndaj 19 shteteve anëtare të NATO-s”.

Të ngjashme