Kurti respektoi Kushtetutën kur emëroi dy ministra të Listës “Srpska” në Qeveri

Prishtinë | 08 Shk 2020 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Albin Kurtit do të ketë 15 ministri, dy nga të cilat do t’i takojnë Listës Serbe. Kjo parti nuk e ka votuar qeverinë e Kurtit por do të drejtojë Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe atë të Zhvillimit Rajonal. Njohësit e Kushtetutës thonë se praktika kushtetuese e lejon që serbët në qeveri të drejtojnë dy ministri nëse numri është më tepër se 12. Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se ky zakon kushtetues duhet të respektohet deri sa të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e interpreton nenin 96 paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës.

Qeveria e Albin Kurtit u votua me 66 vota për në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt. Kabineti qeveritar i Kryeministrit Kurti do të ketë dy zëvendësministra, 15 ministri dhe 35 zëvendësministra.

Delibor Jevtic dhe Ivan Mihajlovic do të jenë dy ministrat në Qeverinë Kurti që do të udhëheqin me Ministritë për Kthim dhe Komunitete respektivisht Zhvillimit Rajonal.

Neni 96, paragrafi 3 në Kushtetutën e Kosovës për Ministritë dhe Përfaqësimin e Komuniteteve nuk specifikon nëse ministri i tretë duhet të përfaqësojë komunitetin serb.

“Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”

Neni 96 i Kushtetutës së Kosovës

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani për Gazetën Express ka thënë se përfaqësimi i komunitetit serb me dy ministri është çështje e praktikës kushtetuese.

Hasani, tutje ka thënë se ky zakon kushtetues duhet respektuar derisa të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e interpreton nenin 96.3 të Kushtetutës.

“Është çështje e praktikës kushtetuese, e cila deri më sot ka qenë e tillë në të gjitha qeveritë e kaluara . Kjo do të thotë se ky zakon kushtetues duhet respektuar deri sa të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e interpreton nenin 96.3 të Kushtetutës”, ka thënë Hasani.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar për Express se edhe pse Kushtetuta nuk e përcakton se cilit minoritet i takon ministri i tretë, ndarja e dy ministrive për komunitetin serb mund të arsyetohet edhe tek qeveria Kurti, pasi që edhe qeveritë e mëhershme e kanë aplikuar të njëjtën praktikë.

“Edhe pse Kushtetuta dhe plani Ahtisari nuk e përcakton se pozita e tretë e Ministrit duhet ti caktohet një komuniteti të caktuar në Kosovë, përfshirë komunitetit serb, me vetë faktin se Kushtetuta e Kosovës nga 20 vendet e rezervuara për komunitete, 10 prej tyre i ka të rezervuara për komunitetin serb dhe praktikën e ndërtuar deri më tani nga qeveritë e mehërshme kur kjo pozitë ka qenë e rezervuar për komunitetin serb, mund të arsyetohet edhe tek qeveria Kurti fakti që dy pozita të ministrave të ndahen për komunitetin serb”, ka thënë Miftaraj.

Lista Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur të fitojë të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme