Kurti: Serbia ka mbetur e njëjta si para 30 vitesh

Prishtinë | 23 Mar 2019 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka kujtuar 30 vjetorin e suprimimit të autonomisë në Kosovë përmes një statusi në Facebook ku bëri krahasimin e vitit 1989 me situatën aktuale në Serbi dhe Kosovë.

“1989: asgjë nuk humbet Kosova me ndryshimet kushtetuese, bile, veçse përfiton. 2019: asgjë nuk humbet Kosova me korrigjimin e kufijve, madje, vetëm përfiton.

Sot janë mbushur tri dekada nga suprimimi i autonomisë së Kosovës. 23 marsi 1989 ishte shtetrrethim: gjendje e jashtëzakonshme, orë policore, mbi njëqind tankse e 15 mijë forca të armatosura jugosllave. Për pasojë, në pranverën e atij viti, dhjetëra shqiptarë u vranë në demonstrata e qindra të tjerë u arrestuan. Që nga ajo kohë edhe medie ndërkombëtare filluan ta konsiderojnë Kosovën të pushtuar e të okupuar.

30 vjet më vonë, Serbia nuk na e njeh pavarësinë. Sepse, presidenti atje është nga po ajo rrymë politike serbe së cilës edhe autonomia për Kosovën i dukej e tepërt. Dhe, sepse presidenti këtu te ne është nga ajo rrymë politike shqiptare që jep territor shteti për pushtet për veti.

E, kur pushteti dhe qeveria janë më të rëndësishme se territori dhe shtetësia, atëherë edhe partia bëhet më e rëndësishme se popullsia. 1989: punësimi, me librezë partie. 2019: punësimi, me librezë partie dhe afri farefisnie”, ka shkruar Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme