Kurti shpalos 10 pikat programore të platformës së tij për kryetar të LVV-së

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

(E përditësuar) Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministër, Albin Kurti, ka shpalosur platformën e tij për mandatin e ri 4 vjeçar për drejtimin e organizatës politike, raporton Ekonomia Online.

Ai ka ftuar anëtarësinë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e brendshme.

Në fillimin e fjalimit të tij tha se “dikush thoshte që në shtator do të ketë prapë zgjedhje, po do të ketë, por zgjedhje do të ketë në VV”.

“Ndoshta edhe mbani mend në këtë dimrin që shkoi, kur dikush edhe thoshte që në shtator ka zgjedhje,. Është e vërtet që në shtator ka zgjedhje, por në VV. Këtë të diel më 25 shtator, andaj është mirë që të gjithë anëtarët e VV’së ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për demokracinë e brendshme të VV’së”, tha ai.

Kurti thotë se që nga ardhja në pushtet e LVV-së, janë përballur me sfida të paparashikueshme.

“Pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar në shëndetin e qytetarëve dhe ekonominë e vendit. Fati ka dashur që ne të vijmë në qeverisje në kohën e këtyre dy problemeve. Kriza nuk na ka prekur vetëm neve por gjithë botën. Sidoqoftë ne jemi përgjegjës për vendin tonë”, thotë ai.

Ai thotë se Kosova mund të goditet nga këto kriza më shumë se shtetet e zhvilluara.

“Megjithatë ne jemi të duhurit për të qenë në krye të vendit në këtë kohë kritike”.

Kryeministri i vendit thotë se organizata e LVV-së është çelësi i suksesit të qeverisjes.

Ai ka numëruar disa nga prioritetet e tij për mandatin tjetër në krye të LVV-së.

1) Rritja e numrit të anëtarëve të rinj me mosha të reja në LVV

2) Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave

3) Krijimi i kohezionit mes brezave, grupeve shoqërore e botëkuptimore

4) Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj

5) Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat

6) Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për zgjedhjet lokale 2025

7) Përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë të qeverisjes

8) Rritja e rrjetit të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në mërgatë

9) Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes

10) Bashkëpunimi ndërkombëtarë dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë

Konjufca për Kurtin: E kemi një drejtues që nuk e kanë pasur asnjë parti politike

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalën e tij para anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se fitorja e kësaj partie në zgjedhjet e kaluara është meritë e kryeministrit Kurti.

Në fjalimin e tij hyrës, Konjufca e quajti Kurtin si “kryetar i tanishëm dhe i ardhshëm i VV-së”.

“I nderuari kryetar i tanishëm dhe i ardhshëm i Lëvizjes Vetëvendosje. Të dashur aktivistë, më vjen keq që nuk jam fizikisht aty me juve, por me shpirt e me zemer e me mendje. Ndodhem në Shqipëri për një vizitë zyrtare këtu. Por, më vjen mirë që jemi bashkë e të mund t’ju drejtohem”, u shpreh fillimisht Konjufca.

Në tubimin ku Kurti po prezanton programin e tij për mandatin e ri, Konjufca e quajti Kurtin të pathyeshëm e vizionar, duke thënë se VV-ja ndihet me fat që kanë sipas tij Kurtin në krye të partisë. Këtë fat, sipas tij nuk e kanë partitë tjera.

“Neve na besoi populli sepse jemi të drejtë, të pakorruptuar, kombëtar e të panënshtruar. Ne arritëm këtu ku jemi edhje falë një fakti tjetër shumë të rëndësishëm. Ne e patëm po ashtu një drejtues të pathyeshëm, dhe vizionar, shumë të përgatitur e të sinqertë. Modest për vete dhe shumë i vendosur për të mirën e popullit, dhe ky është Albin Kurti. Në fund të viteve të 90-ta, kur populli ynë ndodhej përpara mizorisë së gjenocidit të Serbisë, ai e ndau fatin e vështirë bashkë me popullin e vet dhe pastaj si një i burgosur politik ishte shembull i qëndresës që frymëzoi edhe të tjerët me këtë qendrës. Gjithnjë ishte i gatshëm që ta jepte edhe jetën në ato rrethana. Pas themelimit të VV-së, edhe gjatë aktiviteteve tona të panumërta, ai ishte i pari i gatshëm për sakrificë, i pari që arrestohej dhe gjithsesi me imunitetin më të lartë në mesin tonë edhe ndaj presionit edhe ndaj privilegjit”, tha ai.

Madje Konjufca thotë se Kurti kurrë nuk drejton i vetëm, dhe këtë e thotë në cilësinë e një dëshmitari, pasi që ishte bashkëthemelues i VV’së së bashku me Kurtin.

“Më vjen mirë që jemi në këtë moment dhe që përpara nesh do ta kemi njeriun i cili na drejtoi deri këtu, por njeriu i cili kurrë nuk drejton i vetum dhe i vetmuar. Unë këtu po flasë si një dëshmitar, si një bashkëthemelues i VV’së, së bashku me Albin Kurtin, si një bashkaktivist, i cili kemi qenë në krahë të njëri-tjetrit për gjatë gjithë kohës. Po e jap dëshminë time, që Albin Kurti nuk është njeri që drejton individualisht”, tha Konjufca.

VV-ja shpalos platformën e organizatës “Gratë për Vetëvendosje” dhe “Rinia për Vetëvendosje”

Partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur platformën e organizatës “Gratë për Vetëvendosje” dhe “Rinia për Vetëvendosje”, me ç’rast kreu i kësaj partie, Albin Kurti ka shpalosur programin e tij për të fituar edhe një mandat në krye të kësaj partie, raporton Ekonomia Online.

Fillimisht, folën, kryetari i degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia dhe kandidatja e organizatës “Gratë për Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu.

Kryetari i Degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, pati fjalë të mëdha për kreu e partisë njëherësh kryeministër, Albin Kurti.

Ai tha se për këto vite, emri i tij është lidhur me drejtësi e me punë të palodhshme.

“Ne synojmë me gratë e vajzat drejtësinë, me djemtë drejtësinë e me popullit barazinë. Ne këmbëngulim për ndryshimin e gjendjes. Para 100 ditësh shënuam themelimin e Lëvizjes Vetëvendosje. 17 vjet ide, punë e angazhim. Këtë vit të 17-të ka nevojë për frymën, vullnetin e vendosmërinë. Kryeministri jonë sot e shpalos kandidaturën e tij për 4 vjetët e ardhshme. Në gjithë këto vjet emri i tij është lidhur më vendosmërinë e punën e palodhshme dhe drejtësinë për qytetarët. I palëkundur i vendosur dhe me vizion të qartë ky është drejtuesi ynë Albin Kurti”, u shpreh Vitia.

Kandidatja për Kryetare e organizatës “Gratë për Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, tha se rrugëtimi i grave në këtë parti ka një historik të gjatë dhe sipas saj jep një kuptim përpjekës së tyre. Tha se vetëthemelimi i platformës “Gratë për Vetëvendosje” është menduar për të krijuar hapësira që gratë të jenë të përfaqësuara në të gjitha nivelet.

“Ky rezultat është puna dhe mundi i grave dhe vajzave ndër vite të cilat kanë kërkuar drejtësinë. Aktivistet i kanë sjellë aksionin, pra nuk është vetëm një feminizëm por për luftë të barazisë e drejtësisë. Përpjekja e grave përmban zjarrin dhe vrullin e VV-së. Ne kemi trashëguar histori të grave të Kosovës, gratë e pajtimit të gjaqeve, gratë në UÇK, e kështu më radhë. Në zgjedhjet e fundit mbi 50 për qind e vota për VV-në erdhën nga gratë, dhe fitorja ju takon vajzave dhe grave”, tha Haxhiu.

Tutje, Haxhiu paraqiti platformën e saj, e cila sipas saj parasheh barazi për gratë dhe vajzat.

“25 për qind janë vajza dhe gra ndërsa 75% burra. Ne do të punojmë që asnjë rast i seksizmit të mos mbetet i pandëshkueshëm. Nuk e pranojmë më gjuhën fyese. Jam e bindur që do të arrihen me punën e madhe të aktivisteve të VV-së dhe grave e vajzave që do të bashkohen. Ajo çka na duhet është te jemi bashkë për njëra tjetrën dhe zotohem se do të luftoj për këto parime pa kursim”, tha ajo.

Të ngjashme