Kurti: Shtratin për murin në veri e shtroi kryeministri

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 20:38 | Nga

Shtratin për ta ndërtuar murin në Veri të Mitrovicës e ka shtruar Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kur nënshkroi marrëveshjen dhe pranoi që ajo pjesë të bëhet shëtitore, ka thënë Albin Kurti, në fjalën tij në Kuvendin e Kosovës.

Në debatin në Kuvend për murin ilegal në veri të Mitrovicë, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po bëjnë garë verbale se si do ta rrënojnë murin. Por kjo vetëm sa e mobilizon Serbinë.

“U pa një garë e Thaçit, Veselit dhe Mustafës se cili do ta rrënojë murin dhe si, a me eskadrona, a me eskavator, a me ku e di se si, pra kjo garë me cilin ministri do të bëhet vetëm sa e mobilizon Serbinë e paralajmëron Serbinë dhe i demobilizon shqiptarët, nuk tregojnë kur, s’ka afate kjo gjë, po këta edhe kur të tregojnë kur janë të rrezikshëm sepse e lejnë punën në gjysmë si me 25 korrik të vitit 2011”, tha ai.

Muri, sipas tij, nuk është çështje bukurie e shëmtie, është çështje morale, etike, politike, shtetërore e kombëtare, dhe vetëm ashtu do të zgjidhet drejt.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë që tashmë ndërtimi i murit s’është çështje ndarjeje, sepse, sipas tij, ndarja ka ndodhur qysh moti, por ky mur shtynë bashkimin e Mitrovicës drejt pamundësisë.

“Muri është aty për ta pamundësuar edhe më shumë bashkimin, ndarja është bërë më herët. Ne dialogu për normalizim na abnormalizoi”, pohoi Kurti.

Ai ka folur edhe për faktin se përse ShIK-u, që sipas tij ka qenë shumë aktiv në Mitrovicë, asnjëherë s’u ndesh me strukturat paralele.

“SHIK-u e Serbia kanë qenë më të fuqishmit në Mitrovicë, porse luftë me njëra tjetrën nuk bëjnë, besoj e keni vërejtur”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme