Kurti shtyu heqjen e tarifës, vjen reagimi amerikan zyra e Grenellit

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës  nuk është e vetmja që ka mbetur e pakënaqur me mos heqjen e tarifës gjatë vikendit, ashtu si pati paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. Një kërkesë të tillë e kanë përsëritur edhe sot nga zyra e përfaqësuesit të SHBA-së në dialog, Richard Grenell.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë edhe më tutje po vazhdon që të qëndrojë pezull. Kosova nuk e ka hequr tarifën 100 për qind të vendosur për mallrat serbe dhe boshnjake, me datën  15 mars sic kishte paralajmëruar kryeministri Albin Kurti.

Ani pse Kurti tha se në mes të marsit do të hiqet tarifa për lëndën e parë, një gjë e tillë nuk ndodhi të dielën, e për këtë i pari i Qeverisë kërkoi falje.

Shefi i qeverisë tha se heqja e pjesshme e taksës nuk ndodhi pasi që nuk arriti që t’i bind partnerin në koalicion që të bëhet zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitet.

Ndryshe nga cka tha kryeministri, deklaroi Isa Mustafa, kreu i LDK-së e partneri i Lëvizjes Vetëvendosje në Qeveri.

Mustafa dje gjatë ditës  ka thënë se Kurti ka qëndrime dogmatike dhe konspiracion. Ai shtoi se tarifa duhet të hiqet tërësisht, e se nuk do të përkrahin heqjen e pjesshme.

I pari i LDK-së tha se nuk do të pajtohen as me reciprocitet, nëse një masë e tillë nuk vendoset me dakordim të plotë me partnerët ndëkombëtarë të Kosovës.

Përvec problemeve që është duke iu sjellë tarifa partnerëve të koalicionit, heqjen e kësaj mase e kanë kërkuar në vazhdimësi në Shtetet e Bashkuara.

Gazeta Express ka kontaktuar zyrën e përfaqësuesit amerikan në dialog, Richard Grenell. Në zyrën e tij kanë përsëritur se pozicioni amerikan mbetet i njejtë.

“Pozicioni amerikan mbetet që tarifat të tërhiqen plotësisht”, kanë deklaruar nga zyra e Grenell, pa pranuar që të japing detaje se në të kundërtën, me cfarë sanksione mund të përballet vendi.

Tashmë është bërë e ditur se fondet e MCC janë bllokuar deri sa të hiqet taksa. Madje, zyrtarë të lartë të shtetit amerikan kanë folur për mundësinë që trupat amerikane të tërhiqen nga Kosova.

Se tarifa duhet të hiqet në afatin që e ka dhënë Kurti kanë kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga BE-ja kanë deklaruar se tarifa duhet të hiqet plotësisht, që t’i hapet rrugë nisjes së dialogut.

“Pozicioni ynë për tarifat doganore është i qartë: Tarifat duhet të shkojnë. Njoftimi i Kryeministrit më 27 shkurt ishte një hap i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Siç u përmend nga Kryeministri, ne presim që kjo të shndërrohet konkretisht në realitet që nga 15 Marsi”, thonë në Bashkimin Evropian.

Kreu i qeverisë, Albin Kurti kishte deklaruar se në rast se Serbia nuk e ndalë fushatën për njohjet, atëherë do të vazhdohej vetëm me reciprocitet nga data 1 prill. Sipas tij, deri atëherë, taksa 100 do të mbetet në fuqi.

Të ngjashme