Kurti: Skenderaj i ka dhënë shumë popullit, por mbeti i pazhvilluar

Skenderaj | 04 Qer 2017 | 20:32 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Albin Kurti e ka filluar fjalën e tij në Skenderaj duke thënë së ky vend që i dha aq shumë popullit, Republikës dhe kombit tonë, u ndëshkua me moszhvillim.

“Vendi i punës në Kosovë është temë partiake dhe as politike dhe as ekonomike. Partia në ekonominë e pasluftës edhe të punëson edhe të shpunëson. E kanë pushtetin në program dhe s’kanë as program politik dhe ekonomik”, tha Kurti në Skënderaj.

Ai shtoi se prodhimi bujqësor, industrial dhe zejtar do të ndihmohet dhe të përkrahet nga qeveria, që të zvogëlohen importet dhe të rritet punësimi për qytetarët.

“Këta pushtetarë të deritanishëm, mbase më mirë është t’i quajmë zullumqarë. Sa janë të rinj, këta zullumqarë vjedhin me vëllazëri, kur plaken vjedhin me djemtë e tyre, edhe vëllaznitë po i lënë”, ka thënë Kurti në këtë tubim, teksa premtoi se punësimi e bizneset sipas mbiemrave marrin fund me qeverinë e VV-së.

“11 qershori është data e shpërthimit demokratik të votimit masiv”, tha Kurti po ashtu në Skënderaj.

“Drenica ka nevojë për Vetëvendosjen”

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral në Skenderaj. Tubimi u hap me fjalën e kandidatit për deputet nga ky qytet, Veton Seferi.

Seferi tha se sot Vetëvendosjes i është bashkuar rinia sepse është e vetmja shpresë. Ai tha se Skenderaj ka nevojë për qeverisjen e Vetëvendosje-s.

“Prandaj zoti kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, ta keni në konsideratë Drenicën se gjatë këtyre ditëve në terren, e kam kuptuar sa nevojë ka Drenica për Vetëvendosjen”, ishin fjalët me të cilat iu drejtua Albin Kurtit gjatë këtij tubimi.

Selimi: VV do t’i ndajë njëherë e përgjithmonë të mashtruarit nga mashtruesit

Nga tubimi elektoral në Skenderaj, kandidati për deputet, Rexhep Selimi, tha se vetëm Vetëvendosje i qëndroi besnik idealit të Adem Jasharit.

“Drenica nuk e lidh fatin me njerëz të dështuar, Drenica nuk e lidh fatin me ata që abuzuan me Drenicën, Drenica nuk e lidh fatin me ata që i kthyen shpinën sapo morën votën”, tha Rexhep Selimi para skenderajasve.

“Drenicën nuk mund ta përfaqësojnë ata të cilët ia sollën Gjykatën Speciale UÇK-së, me ata që ia sollën ‘Zajednicën’ Kosovës. Drenica do të dijë të ndahet njëherë e përgjithmonë nga ata që abuzuan me vlerat e luftës”, shtoi Selmi.

Ai tha po ashtu se Vetëvendosje vjen në Drenicë ballëhapur para jush sepse do të vazhdojë t’i shërbejë idealit të Jasharajve, atdheut dhe shqiptarizmës.

“Prandaj Vetëvendosje do t’ia bëjë edhe një shërbim të vogël Drenicës. Me 11 qershor Vetëvendosje do të dijë t’i ndajë njëherë e përgjithmonë të mashtruarit nga mashtruesit”, ishte premtimi i Selimit në këtë tubim.

Konjufca: Fillimi i ri është fillimi i rënies së klanit “Pronto”

Glauk Konjufca në Skenderaj ka thënë se ky vend në historinë e Kosovës ka qenë gjithmonë vendi i kthesave të mëdha.

“E tash jemi bërë bashkë këtu për ta dhënë një porosi të qartë se në Skenderaj po fillon një tjetër kthesë e madhe, kthesa e shtetit të drejtësisë, kthesa që e merr drejtimin e zhvillimit të Kosovës”, tha Konjufca në tubimin zgjedhor në këtë qytet.

Ai po ashtu pati porosi për qytetarët e Skenderajt.

“Nëse nëse këto ditë vjen ndokush në Skenderaj dhe iu thotë se ky është fillimi i ri, ju thuajuni se edhe ne jemi për fillimin e ri. Por, ky është fillimi i rënies së klanit “Pronto”. Nëse ky nuk është fillimi i ri, atëherë gjithçka tjetër është e vjetër në Kosovë”, ishte porosia e Konjufcës në Skenderaj.

Të ngjashme