“Kurti sot mes rreshtave kërcënoi opozitarët e mediat që po refuzojnë nënshtrimin”

Prishtinë | 28 Gus 2022 | 22:39 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka komentuar paraqitjen e sotme të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje në Këshillin e Përgjithshëm.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kuçi ka thënë se mes rreshtash, kryeministri kërcënoi opozitarët e mediat që po refuzojnë nënshtrimin.

“Kurti dëshiron t’i bëjë hisedarë imagjinarë të gjithë në pushtetin e tij, në fitore e humbje, arritje e dështim, ashtu që t’i nënshtrojë në hegjemoninë e tij. Kurtit i nevojitet teren homogjen ku kritika mbytet gati si natyrshëm, pa ndërhyrje të drejtpërdrejt të dhunshme sepse ai zgjati dorën kinse e do të bëjë bashkëpronarë në arritjet e dështimet e tij”, shkroi ndër të tjerash ajo.

Postimi i plotë:

Kurti, në fjalimin e tij të mbajtur sot para Këshillit të Partisë, deklaroi qysh mbështetja e aktivistit duhet të jetë e tëra në sukses e dështim.

Nëse kjo s’flet për nënshtrim atëherë asnjë deklaratë diskursive nuk mund ta shpërfaqë.

Kurti dëshiron t’i bëjë hisedarë imagjinarë të gjithë në pushtetin e tij, në fitore e humbje, arritje e dështim, ashtu që t’i nënshtrojë në hegjemoninë e tij. Kurtit i nevojitet teren homogjen ku kritika mbytet gati si natyrshëm, pa ndërhyrje të drejtpërdrejt të dhunshme sepse ai zgjati dorën kinse e do të bëjë bashkëpronarë në arritjet e dështimet e tij.

Mos të harrojmë; ky nuk është mesazh vetëm për militantin e aktivistin e rëndomtë; ky mesazh, nën rreshta, është kërcënimi ndaj opozitës e mediave që po refuzojnë nënshtrimin.

Të ngjashme