Kurti shpërfill kërkesën e Quintit: S’ka afat shtesë për t’i konvertuar targat në RKS

Prishtinë | 25 Tet 2022 | 11:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë afat shtesë për qytetarët serb për t’i konvertuar targat e tyre RKS, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se tashmë një shtyerje është bërë, kur është zgjatur vendimi deri më 1 shtator.

Kurti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.

Kurti e pranoi se ka presion edhe ndaj Beogradit për t’i pamundësuar qytetarët serbë t’i konvertojnë tabelat e tyre në “RKS”.

Ai përmendi edhe rastin e togerit të Policisë së Kosovës në Veri, me ç’rast iu dogj vetura pasi kishte kthyer tabelat në legale.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. e kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, tha Kurti.

“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë”.

“Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Kurti këto komente i bëri pas hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022’’, organizim ky i The Economist në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj Kosovës ia kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar publikisht se kanë kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani një shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Esbobar ka thënë se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Kuintit – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë Escobar.

Të ngjashme