Kurti takohet me historianin Oliver Jens Schmitt

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim historianin e njohur, Oliver Jens Schmitt.

Në ditën e njëvjetorit të votimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti e njoftoi z. Shmitt për të arriturat, përmbushjen e programit qeveritar dhe sfidat për të ardhmen.

Gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit, tha kryeministri Kurti.

Z. Schmitt e përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe për stabilitetin politik në qeverisje. Ai e vlerësoi Kosovën si vendin me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë. Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës, tha z. Schmitt.

Diskutuan për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.

Ka shkruar disa libra me analiza për historinë dhe figurat shqiptare: “Historia e shqiptarëve”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike” etj.

Z. Schmitt i dhuroi kryeministrit Kurti librin e tij të fundit, përmbledhjen në pesë vëllime të korrespondencave të konsujve austriakë për Kosovën me titull: “Politika dhe Shoqëria e Vilajetit të Kosovës”.

Të ngjashme