Kurti takohet me përfaqësuesit e misionit vëzhgues të ENEMO

Prishtinë | 29 Sht 2021 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitorues të zgjedhjeve (ENEMO) në Kosovë, z. Pierre Peytier dhe znj. Elene Nizharazde.

Kryeministri Kurti i njoftoi vëzhguesit me situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke theksuar përpjekjet për tejkalimin e vështirësive të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe situatën e sigurisë në lidhje me bllokimin e rrugëve në drejtim të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje. Me theks të veçantë u diskutuan zhvillimet, ecuria e fushatës dhe pritjet për zhvillimet e mëtejme në lidhje me fushatën për zgjedhjet lokale më 17 tetor 2021.

Kryeministri Kurti siguroi përfaqësuesit e këtij misioni për bashkëpunim të plotë të gjitha institucioneve shtetërore, duke kërkuar transparencë të plotë.

Vëzhguesit e njoftuan Kryeministrin me misionin e tyre, përpjekjet për vëzhgimin sa më real dhe objektiv të fushatës, synimin për përcjelljen e mediave, sidomos atyre elektronike përmes analizave nga specialistët e marrëdhënieve midis mediave dhe zgjedhjeve. Përveç paraqitjeve publike mediale menjëherë pas zgjedhjeve, ky mision do të përgatisë edhe një raport përfundimtar me rekomandime në muajin shkurt 2022, i cili do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente dhe do të bëhet publik.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i LVV dhe njëherit anëtari i KQZ, z. Sami Kurteshi.

Të ngjashme