Kurti takon inspektorët e AUV-it: Po përballemi me variantin më të rrezikshëm të virusit, atë Delta

Prishtinë | 30 Gus 2021 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka zhvilluar takim me u.d. të Kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Flamur Kadriu dhe inspektorët e Agjencisë.

Siç njofton komunikata e zyrës së kryeministrit Kurti, takimi u zhvillua një ditë pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për shkak të përkeqësimit të gjendjes me pandeminë.

“Kryeministri Kurti i njoftoi inspektorët për vendimet nga ai takim dhe foli për rëndësinë e zbatimit të masave kundër pandemisë të marra në mbledhjen e 32-të të Qeverisë. Ai tha se kemi hyrë në një fazë të re të mbikëqyrjes së zbatimit të masave, dhe se zbatueshmëria e tyre i jep masave legjitimitet, përveçse siguron efektshmërinë e tyre.

Aktualisht, po përballemi me variantin më të rrezikshëm të virusit, atë Delta, andaj në një situatë që nuk është e zakonshme, nuk mund të sillemi si zakonisht. Angazhimi i gjithsecilit duhet të jetë një që s’e kemi bërë më parë, nënvizoi kryeministri Kurti”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Kurti njoftoi dje se do të shtojnë numrin e inspektorëve për të zbatuar masat e reja anti-COVID.

“Nga 17 inspektorë do t’i shtojmë edhe 85 inspektorë”, informoi dje Kurti ndër të tjera.

Të ngjashme