Kurti: Të krijohen kushte që mërgata shqiptare të votojë në shtetin amë

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim virtual me kandidatët për deputetë të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Shqipëri si dhe disa përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali.

Me këtë rast, Kurti ka bërë thirrje që diasporës shqiptare duhet t’i mundësohet votimi më i lehtë për në shtetin amë.

“Duhet të kemi të garantuar dhe të realizuar të drejtën e bashkatdhetarëve tanë për të votuar në shtetin amë. Kjo e drejtë kushtetuese duhet të realizohet përmes votimit me postë, elektronik apo pranë përfaqësive diplomatike. Duhet të krijohet infrastruktura me të cilën do të garantohet vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit si dhe mënyra e sigurimit të kësaj vote. Institucionet e shtetit, në veçanti qeveria, të ketë fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, partia e Albin Kurtit do të garojë në zgjedhjet e Shqipërisë, me 25 prill, me 3 kandidatë në Shqipëri; Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani.

Të ngjashme