Kurti: Thaçi s’është i interesuar ta përfundojë dialogun, e shfrytëzon atë për t’i ikur Speciales

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 13:18 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për medie se presidenti Thaçi nuk është kredibil për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.

Kurti deklaroi se presidenti Thaçi nuk është i interesuar ta përfundojë dialogun me Serbinë sepse nga ky proces varet liria e tij. Sipas Kurtit, presidenti Thaçi po e shfrytëzon këtë proces për ta ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata Speciale, raporton Ekonomia Online.

“Presidenti Thaçi nuk është as kredibil, as kompetent, është gënjeshtar dhe i paditur. Ujditë e fshehta të tij nuk vlejnë në Kosovë. Kush do ta udhëheqë dialogun është e rëndësishme, por ajo vjen në fund, jo në fillim. Nuk mund të nxitohemi në dialog të ri pa bilancin e 6 viteve dialog. Ai është president për vete dhe jo i Kosovës me këtë sjellje që po e bën”.

“Kosova nuk i ka formuar kërkesat ndaj Serbisë, krerët e institucioneve nuk thonë se kërkojnë njohje dhe dëmshpërblim nga Serbia. Qartazi Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel, Vuçiqi po shkon në Bruksel. Thaçit i nevojitet dialogu për të ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata Speciale. Kjo gjykatë është e padrejtë dhe Thaçi e pati imponuar atë me ndryshimet kushtetuese”.

Kurti shtoi se për partinë e tij është prioritet luftimi i krimit e korrupsionit, arsimi, shëndetësia, e jo Serbia.

Lideri i VV-së edhe këtë herë e ka përsëritur se është e domosdoshme që të bëhet vlerësimi zyrtar i dialogut për vitet 2011-2017 dhe të raportohet në kuvend.

Kurti ka thënë se nuk i bashkohen Thaçit në dialogun me Serbinë sepse, sipas tij, ai është i shantazhuar.

“Ne nuk iu bashkohemi veprimeve arbitrare të njeriut të shantazhuar, jemi të interesuar për dialog me parime e jo me persona pa parime, nuk duam të legjitimojmë sjelljet e tilla pa kurrfarë mandati nga institucionet. Çfarëdo marrëveshje që nënshkruan Thaçi në Bruksel nuk do të vlejë as sa çmimi i letrës në të cilën nënshkruan”.

Kurti ka folur edhe për propozimin e Thaçit që shënjimi i kufirit me Serbinë të përfshihet në dialog, dhe aty të ndihmojë edhe NATO.

Ai tha se ky propozim nuk është për të mirën e shtetit. Sipas tij, është i rëndësishëm demarkacioni me Serbinë, por në këtë kohë duhet të kërkohet njohja nga ky shtet, raporton EO.

“Çdo propozim që vjen kokë më vete nga presidenti nuk është për të mirën e shtetndërtimit, por për të shpëtuar kokën. Propozimet e tilla pa debat nuk i ndihmojnë Kosovës. Kemi nevojë të shenjojmë kufirin me Serbinë, por propozimet e tilla janë për ta bërë veten e tij interesant. S’është kredibil të bëjë propozime për demarkacione të reja”.

“Këtu duhet të prijnë institucionet tona, smund të presim të na prijë BE-ja. Është e domosdoshme që qeveria e parlamenti të marrin barrën përsipër e pastaj të kërkojë ndihmë. Tash është koha të kërkojmë njohjen nga Serbia, kërkimfaljen dhe dëmshpërblimet për dëmet dhe vuajtjet që na kanë shkaktuar”.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë në konferencë se sot janë bërë tre muaj nga ratifikimi i demarakcioni me Malin e Zi, dhe ende sipas tij nuk ka ndonjë lëvizje në lidhje me atë që ka thënë kryeministri Haradinaj për korrigjim të demarkacionit sipas raportit të komisionit Bulliqi.

Kurti ka folur edhe për takimin e tij të djeshëm me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin tha se ka biseduar më shumë për luftimin e korrupsionit dhe krimit, sesa për dialogun me Serbinë. Sipas Kurtit, në takim Delawie theksoi se vendimet për proceset në Kosovë duhet të merren nga institucionet dhe qytetarët.

Kryetari i VV-së ka deklaruar tutje se kryeministri Haradinaj duhet të jap dorëheqje sepse udhëheq një Qeveri që nuk e ka shumicën dhe në këtë drejtim opozita sipas tij duhet të bëjë trysni. Nëse kjo nuk ndodh, tha Kurti, duhet të koordinohen me partitë opozitare që të ngrisin mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Të ngjashme