Kurti thotë se do ta pesëfishojë numrin e inspektorëve: Paga minimale në 250 euro

Prishtinë | 02 Tet 2021 | 11:02 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kuti tha se në Kosovë është problematike punësimi i pasigurt. Për këtë, ai tha se do të pesëfishojë numrin e inspektorëve, raporton Ekonomia Online.

Në kongresin zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Kurti tha se paga minimale do të ngritët në 250 euro nga 170 sa ishte.

 “Falë organizimit sindikal në botë pushohet gjatë vikendeve e punohet me 8 orë. Është e gjatë lista që ka pasë ndikim në jetën tonë veprimet sindikale. Dekada e fundit për punëtorin kosovar ka qenë e kobshme për shkak të regjimit të Millosheviqit, e pastaj nuk kanë mundur të kthehen më në punë. E dimë që kemi papunësi të mëdha në Kosovë. Të qenurit i papunë nuk është problemi i vetëm, kur je në punë ka shumë probleme, mungesa e sigurimit shëndetësor, mos pagesa gjatë punës mbas orarit etj. Punësimi i pasigurt është problem i madh. Pandemia e ka pasur një anë pozitive për punëtorët, ka reflektuar te shoqëria për punët që më herët nuk i kanë dhënë rëndësi. Gjendja e punëtorëve është trashëgimi që jemi përballur nga dita e parë e punës. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve. Pagën minimale do ta risim në 250 euro”.

Ndërsa, kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini, tha se organizimi sindikal ka sjell ndryshime në përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve në vend.

Në anën tjetër, Gëzim Kalaja, nga Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Shqipërisë, tha se të gjitha marrëveshjet e arritura Kosovë-Shqipëri duhet të realizohen.

Ndërsa pas kongresit, kryeministri Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për situatën në veri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Avni Ajdini,

Të nderuar delegatë nga Federatat Sindikale të BSPK-së,

Të dashur miq nga vende të ndryshme të botës, udhëheqës e përfaqësues të organizimeve të ndryshme sindikale,

Të dashur punëtorë,

Mirë se po takohemi në Kongresin e VIII-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sot është e shtunë, ditë vikendi, dhe përgjithësisht në botë vikendi është kohë pushimi për punëtorët. Kjo falë organizimit sindikal. Gjatë pesë ditëve të kaluara, përgjithësisht në botë, është punuar nga 8 orë në ditë, gjithsej 40 orë në javë. Edhe kjo falë organizimit sindikal. Në shumë vende ka pagë minimale të përcaktuar ligjërisht. Edhe kjo falë organizimit sindikal. Po ndalem këtu, sepse është e gjatë lista e të gjitha ndikimeve që ka patur në jetën e përditshme të të gjithë neve organizimi sindikal i punëtorëve përgjatë historisë. 

Por, është edhe gjendja e punëtorëve në Kosovë që duhet të na bëjë që më pak t’i glorifikojmë të arriturat e të kaluarës e më shumë të angazhohemi në të tashmen. Dekada e fundit e shekullit të kaluar për punëtorin ishte e kobshme, sepse regjimi fashist i Millosheviqit e dëboi me dhunë nga puna. Pas luftës, shumë nuk arritën të ktheheshin në punë, sepse vendi i tyre i punës më nuk ekzistonte. Ndërmarrjen ku ata punonin e kishin shitur shpejt e lirë dhe s’kishte më vend për të. Kjo është në fakt historia e dhjetëra mijëra punëtorëve anembanë vendit të cilët privatizimi neoliberal i bëri të papërdorshëm.

E dimë se kemi papunësi të lartë në Kosovë, e sidomos tek gratë dhe të rinjtë. Por, të qenurit i papunë nuk është problemi i vetëm i punëtorit sot. Të qenurit i punësuar shpesh nënkupton edhe një gamë të gjerë të sfidave të përditshme. Mungesa e sigurisë, puna me orar të zgjatur që nuk kompensohet, punë gjatë vikendit, ngacmimet, diskriminimi gjinor, etj., janë çështje që kërkojnë adresim e zgjidhje çdo ditë. 

Kur nuk ka krizë, ata ose punojnë më shumë se që duhet ose më pak se sa që duan. Çdo i dhjeti punëtor vitin e kaluar ka punuar më shumë se 48 orë në javë. Në anën tjetër, 67.3% e atyre që punonin me orar të pjesshëm, e bëjnë këtë sepse nuk kanë mundësi të gjejnë punë me orar të plotë. E punësimi i pasigurt ose, siç njihet, prekariati është problem i madh, sidomos kur ka kriza siç ishte kjo me pandeminë COVID-19. Të parët që mund të mbesin pa punë, janë pikërisht këta punëtorë.

Por besoj që pandemia e ka patur edhe një anë pozitive për punëtorët. Ajo i ka bërë shoqëritë që të reflektojnë më shumë mbi punët të cilat mbase në të kaluarën nuk i kemi vlerësuar sa duhet, por që janë esenciale për funksionimin e shoqërive. Pa punën e mjekëve, infermierëve, policëve, zjarrfikësve, bukëpjekësve, farmacistëve, pastruesve e shitësve, lufta me pandeminë nuk do të fitohej.

Të nderuar sindikalistë,

Gjendja e lartpërshkruar e punëtorëve është trashëgimia me të cilën jemi duke u përballuar që nga dita e parë e punës. E ne jemi Qeveri socialdemokrate, e punëtorëve e për punëtorët.

Për ne punësimi dhe drejtësia janë prioritet dhe angazhim ditor që të realizohen, sidomos në tregun e punës. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi patur rritje ekonomike prej 10.4% dhe tashmë është e sigurt se rritja këtë vit do të jetë më e madhja që nga paslufta. Këtë rritje, Qeveria jonë dhe e juaja, do ta kanalizojë drejt zhvillimit ekonomik.

Kjo nënkupton se do të krijojmë kushte që mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Prioritet për ne është punësimi i grave, i të rinjve dhe i komuniteteve joshumicë. Jemi duke punuar në amandamentimin e Ligjit të Punës dhe do të sigurojmë zbatimin rigoroz të tij. Kjo do të thotë se çdo vend pune duhet të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë.

Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësive që mund t’u bëhen punëtorëve në vendet e tyre të punës. Pagën minimale do ta rrisim fillimisht në 250 euro, do ta përjashtojmë nga tatimi në të ardhurat personale dhe do ta rishikojmë vazhdimisht në mënyrë që ajo të reflektojë ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend.

Si qeveri kemi dizajnuar masa specifike që nxisin formalizimin, siç është Masa 1.2 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila mbulon kontributet pensionale të secilit punëtor të formalizuar për një vit të plotë, dhe mbështetë me 3 muaj nga 50 euro secilin punëtor që ka kontratë.

Kemi hartuar dhe ofruar kontrata pune të thjeshta dhe në vetëm 2 faqe, ashtu që askush të mos e ketë si pretekst se nuk kanë jurist, apo nuk i kanë kushtet për të hartuar një kontratë për punëtorin. Thjesht mund ta printojnë nga interneti, ose nëse nuk kanë printer, të shkojnë në njërën nga zyret e punësimit, për t’i marrë dy kopje, një për punëdhënësin, një për punëtorin.

Kemi rritur angazhimin e inspektorëve të ATK-së për mbikëqyrjen e zbatimit, dhe ky angazhim do të rritet sepse Ministria e Financave do të angazhojë resurse shtesë, edhe 100 persona të tjerë, të rinj të diplomuar dhe me vullnet për punë.

Kjo është pjesa që ne po bëjmë, por sfida që përmenda më herët janë thirrje urgjente edhe për sindikatat. Aty ku ka sindikata, këto duhet të adresohen. Aty ku nuk ka sindikata, që është rasti i sektorit privat, duhet parë të gjitha mundësitë që ato të krijohen.

Historia na tregon se organizimi sindikal di të jetë rrugë me drejtime të ndryshme. Kjo sepse të zgjedhurit mund të mos ecin sipas ëndrrave të zgjedhësve. Këtë nuk e dëshirojnë punëtorët, këtë nuk e dëshirojmë ne, këtë duhet të mos e lejoni të ndodhë ju.

Prandaj sot dua t’ju uroj punë të mbarë dhe zgjedhje demokratike në këtë Kuvend zgjedhor. Uroj që të zgjedhurit tuaj të jenë punëtorë, të jenë krah punëtorëve, e të bëjnë për punëtorët. Krah jush do të jetë Qeveria jonë, qeveria e juaj, qeveria e punëtorëve. Uroj që t’ju shkojë mbarë e mirë porsi puna e ndershme e punëtorit që me djersën e ballit e fiton bukën e gojës.

Ju faleminderit.

No description available.

Të ngjashme