Kurti thotë se po përmirësojnë jetën e fëmijëve, Vitia thërret për vaksinim mbi 12 vjeç

Prishtinë | 13 Sht 2021 | 11:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në përurimin e Spitalit të Fëmijëve, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton Ekonomia Online.

Ai është shprehur se është kënaqësi të jetë i pranishëm në përurimin e spitalit të fëmijëve.

Kurti shtoi se janë zotuar për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore.

“I jemi mirënjohës për këtë kontribut të çmuar në fushën e shëndetësisë. Përveç se investim në infrastrukturën shëndetësore ky projekt është investim në fëmijë, në të ardhmen e vendit tonë”.

“Është thelbësore që të kujdesim për ta. Gati të gjitha prioritetet tona janë të lidhur me fëmijët”.

 “Ky spital do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe është dëshmi konkrete e miqësisë sonë me Emiratet”.

“Institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë mirënjohës. Konsiderata që kemi për fëmijët sot tregon se çfarë të nesërme do të ketë shteti dhe shoqëria jonë”.

Tutja ai ka thënë se do të punojnë që vizioni i shteti të realizohet me buzëqeshjet e fëmijëve, raporton EO.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve tanë. Poashtu ai ka njoftuar se spitali që po përurohet është më moderni në rajon në vlerë prej 22 milionë euro.

“Është një kontribut i madh dhe do të jetë një simbol i miqësisë mes dy vendeve tona. Është kontribut i disa gjeneratave i pajisur me pajisje moderne për diagonstikë e trajtim të fëmijëve.

 “Ky spital do të ketë ndikim për ngritjen e cilësisë së shërbimeve për fëmijët”.

Ai ka bërë thirrje për vaksinim të fëmijëve mbi 12 vjeç si dhe për nënat shtatzëna.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia e juaj, zonja Presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,

Shkëlqesia juaj Sheikh Abdulla bin Mohammed bin Butti Al Hamed,

Shkëlqesia juaj Dr. Maitha bint Salem Al Shamsi,

Shkëlqesia juaj Ambasadore Nabila Alshamsi,

I nderuar Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,

Të nderuar profesorë, doktorë, infermierë dhe infermiere,

E nderuara presidente Atifete Jahjaga,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e madhe të jemi sot këtu, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në përurimin e spitalit të fëmijëve “Sheikha Fatima”.

U jemi mirënjohës Emirateve të Bashkuara Arabe, vend mik që ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën në fushën e shëndetësisë, e veçanërisht për këtë ndihmë të jashtëzakonshme për ndërtimin e këtij spitali pediatrik – kirurgjik modern.

Përveç se investim në infrastrukturën shëndetësore, ky projekt është investim në shëndetin e fëmijëve, të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e vendit tonë.

Në këtë spital, fëmijët do të kenë qasje në shërbime shëndetësore të specializuara, nga stafi i përkushtuar profesional, që do të ndihmojë në diagnostikimin sa më të hershëm të sëmundjeve dhe në shërimin e tyre.

Fëmijët janë qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë, prandaj është thelbësore që ne të kujdesemi për ta. Gati të gjitha prioritetet tona më të rëndësishme ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve.

Edhe kur kemi shkruar zotimet, edhe sot kur jemi në krye të shtetit, në mendje dhe zemër, i kemi para së gjithash fëmijët e vendit tonë, veçanërisht ata të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit.

Me programin e Qeverisë, ne jemi zotuar se do të angazhohemi për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore. Do të kujdesemi për grupet e cenueshme të shoqërisë me fokus te fëmijët.

Ky spital do të kontribuojë në mirëqenien e fëmijëve të Kosovës, duke u mundësuar fillim të shëndetshëm të jetës.

Ky projekt humanitar i mundësuar nga Lartmadhëria e saj, Sheikha Fatima bint Mubarak, përveç përmirësimit të jetës se fëmijëve dhe familjeve të Kosovës, është dëshmi konkrete e miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, midis institucioneve dhe popujve të të dyja vendeve.

Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, shpreh falënderimet më të përzemërta për Emiratet e Bashkuara Arabe.

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës i janë thellësisht mirënjohës Lartmadhërisë së saj – Sheika Fatima bint Mubarak.

Falënderoj presidenten Jahjaga për angazhimin e saj, dhe të gjitha ekipet që me përkushtim, ndër vite kanë punuar për realizimin e këtij projekti.

Konsiderata që kemi për fëmijët, tregon se çfarë të ardhme do të ketë shteti e shoqëria jonë.

Prandaj do të angazhohemi të gjithë së bashku që fëmijëve t’u garantojmë mirëqenie dhe të ndërtojmë të ardhmen që ata e meritojnë.

Jeta varet aq shumë nga shëndeti e shëndeti varet aq shumë nga fëmijëria. Pas nënës sime, e para mësueses sime, janë dy mjekë pediatra të cilëve ua kam borxh jetën, doktor Shefqet Lleshi dhe doktor Zef Gjoni, ndonëse të ndjerë që prej shumë vitesh, nuk ka dyshim që edhe ata do t’i jenë gëzuar shumë këtij përurimi sot.

Do të punojmë bashkërisht që vizioni i shtetit tonë të realizohet nën buzëqeshjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës.

Ju faleminderit.

Të ngjashme