Kurti uron Ditën Ndërkombëtare të Romëve: Varfërinë ta luftojmë me edukim, paragjykimet me bashkëpunim

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar sot Ditën Ndërkombëtare të Romëve, duke bërë premtime për përmirësim të pozitës së tyre ekonomike.

Ai tha se shteti nuk do të ndalet së punuari që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të barabarta për zhvillim, njofton Klan Kosova.

“Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta. Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive”.

Kurti tha se varfërinë duhet ta luftuar me edukim kurse paragjykimet me bashkëpunim.

Statusi i plotë:

Të dashur qytetarë të komunitetit Rom,
Më lejoni t’ju uroj e përgëzoj për Ditën Ndërkombëtare të Romëve!

Është e vërtetë që si individ ne kemi tregime të veçanta por si shoqëri ndajmë fatin e njëjtë sepse kemi shtetin e përbashkët.

Ne nuk pushojmë e nuk ndalemi së punuari derisa të gjithë qytetarët pa përjashtim e pa dallim të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për zhvillim.

Nuk ndalemi sepse, për dallim nga tjerët, ne progresin shoqëror nuk e matim me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në fund. E në fund, fatkeqësisht janë shumë: afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Por varfërinë duhet ta luftojmë me edukim kurse paragjykimet me bashkëpunim.

Kushtetuta jonë e cila nesër e ka ditën e saj u garanton minoriteteve të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës. Kemi ligje, strategji, agjenci e fonde të veçanta që më shumë na veçojnë e dallojnë sesa që na bëjnë bashkë.

Mungesa e edukimit, punësimit e banimit dhe e pjesëmarrjes në jetën publike nuk janë problem i komuniteteve që ato duhet t’i zgjidhin të vetëm e ndaras por problem yni i përbashkët.

Qeveria me politikat e saj do të krijojë kushte dhe mundësi të barabarta për të siguruar të drejta të barabarta.

Prandaj ne do të ndërhyjmë me politika favorizuese aty ku shfrytëzimi i të drejtave pamundësohet nga mungesa e mundësive.

E ardhmja jonë është tek edukimi cilësor i fëmijëve tanë, andaj do të heqim barrierat për mësim sikurse distanca e largët nga shkollat, kualiteti i dobët e ushqimi i munguar. Secili fëmijë do të ketë kushtet e barabarta për mësim cilësor pa paragjykuar se prej nga vjen dhe sa fitojnë prindërit e saj apo tij.

Le të punojmë çdo ditë bashkë sepse kemi shtetin dhe ardhmërinë të përbashkët!

Të ngjashme