Kurti: Viti i kaluar, më i suksesshmi në historinë e shtetit tonë për të hyrat dhe rritjen ekonomike

Prishtinë | 17 Nën 2022 | 11:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve në Kuvend ka folur për të hyrat dhe rritjen ekonomike në Kosovë.

Ai u shpreh se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë,

“Viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë, sa i përket të hyrave dhe rritjes ekonimike, ky vit me gjithë sfidat dhe krizat globale, vazhdojë trendin pozitiv dhe na mundësojë të kemi një konsolidim të financave publike”.

Tutje, ai foli edhe për buxhetin e vitit 2023, për të cilin ritheksoi se do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euroshe, me ç’rast kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 493 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime, 1 miliardë e 98 milionë euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”, u shpreh Kurti.

Fjala  e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për buxhetin e vitit 2023:

I nderuar kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë,

Viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë për sa i përket të hyrave dhe rritjes ekonomike. Ky vit, me gjithë sfidat dhe krizat globale, vazhdoi trendin pozitiv, dhe na mundësoi të kemi një konsolidim të financave publike. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është prej vendeve të para në mesin e ekonomive në zhvillim në Evropë që ka arritur një sukses të tillë, e që është e referencë e FMN-së për shtetet tjera sa i përket konsolidimit të financave publike. Kjo na vë në pozitë më të favorshme për sfidat që mund të na presin vitin tjetër. Ndërkohë që kemi një projeksion mjaft pozitiv për vitin e ardhshëm fiskal.

Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro. Me ç’rast kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”.

Për sa i përket projekteve specifike, ato reflektojnë Programin tonë Qeverisës:

Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet. Kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve; më shumë inspektorë në shëndetësi që të sigurohet cilësia e shërbimeve; më shumë inspektorë të tregut që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit; dhe më shumë inspektorë tatimorë që të sigurohet mbledhja e tatimeve që mundëson ofrimin e shërbimeve më të mira publike.

Kemi ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, më së shumti ndonjëherë që prej shpalljes së pavarësisë. Nga këto, 60 milionë euro janë për barna esenciale, në mënyrë që sigurohemi që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore. Rritjen e buxhetit në infrastrukturën shëndetësore e kemi shoqëruar edhe me rritjen e numrit të stafit mjekësor, ku kemi shtuar 400 pozita.

Në linjë me premtimin tonë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit kemi buxhetuar 11 sosh. E njëlloj sikurse në shëndetësi, investimet në infrastrukturë i kemi përcjellë me rritjen e kapaciteteve njerëzore. Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf për çerdhet që parashihen të funksionalizohen. Gjithashtu, me këtë projektbuxhet, po e përmbushim, madje duke e tejkaluar atë që në vitin e dytë të mandatit, premtimin tonë për angazhimin e 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara.

Kemi vazhduar mbështetjen për bujqit dhe fermerët tanë. Për vitin 2023, buxheti për ta për herë të parë e kap shifrën 87 milionë euro. Bashkë me mbështetjen nga fondet e jashtme, presim ta tejkalojmë vlerën prej 100 milionë euro, çka edhe ka qenë premtim i yni.

Në kontekstin aktual, mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme. Andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për Policinë, dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtës për vitin tjetër. Pra në këtë vit e patëm rritur buxhetin për mbrojtje për përafërsisht 52% krahasuar me vitin e shkuar, ndërkaq në vitin që do të vije, do të jetë edhe 20% përafërsisht më i lartë se sa në këtë vit. Përveçse më i larti ndonjëherë, ai është gati dyfish më i lartë se sa buxheti që patëm trashëguar në vitin 2021, nga 67 milionë në 123 milionë – teksa qeverive të kaluara i janë dashur 10 vjet për ta bërë njëjtën gjë. Në vitin 2011, buxheti ka qenë 35 milionë e më pastaj në vitin 2021, 67 milionë.

Shtesat për lehona e për fëmijë që i premtuam, i filluam në kohë kur të gjithë ishin skeptik që ato do të mund të realizohen. Brenda vitit të dytë të qeverisjes, me buxhetin për vitin 2023, po e përmbushim edhe këtë premtim tonin, duke i përfshirë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për këtë, kemi ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro.

Kthimi i terminaleve doganore shtetërore ishte gjithashtu njëri nga premtimet tona. Përmbushjen e tij e filluam në vitin që po lëmë pas, me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Mitrovicë, në hapësirat e ndërmarrjes publike Trepça. Kurse sivjet funksionalizuam terminalin doganor shtetëror në Durrës dhe atë në Podujevë. Kësisoj do të vazhdojmë edhe me terminalin në aeroportin e Prishtinës dhe në Vërmicë, si dhe me terminalet e tjera, për çfarë kemi ndarë gjithsej 6 milionë euro.

Kemi buxhetuar përfundimin e rrugëve që tashmë janë në proces për disa vite, si dhe kemi shtuar edhe buxhet për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, dhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

Për banimin e përballueshëm, tani që kemi studimin e fizibilitetit të kompletuar, kemi paraparë nisjen e punës vitin që vjen, dhe njëkohësisht kemi filluar procedurat për të siguruar financimin e nevojshëm nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Do të vazhdojmë edhe mbështetjen e ndërmarrjeve publike, në rikthimin e tyre në fitimprurëse, ashtu që ato të bëhen kontribuese të zhvillimit ekonomik. Edhe këtë herë, kemi ndarë 40 milionë euro për investime në këto ndërmarrje.

Pas një viti jashtëzakonisht të suksesshëm në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, buxheti për vitin e ardhshëm i kësaj ministrie do të jetë mbi 57 milionë euro, pra dukshëm më i lartë se sa ai i këtij viti.

Për rezervat shtetërore i kemi ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për vitin 2023 për të vazhduar mbushjen e tyre, pas ndarjes 10 milionë euro për këtë vit në të cilin ndodhemi.

Dhe tani me mbështetjen e Bashkimit Evropian, do t’i kemi edhe 75 milionë euro të tjera që do të shkojnë për mbështetje të qytetarëve për ta tejkaluar krizën energjetike. Kjo vjen shtesë mbi projektet e shumta në sektorin e energjisë që do të fillojnë së shpejti, siç është ai me zgjerimin e ngrohjes qendrore, parkun solar në KEK, e bateritë me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit.

Në politikën e jashtme, fokusi i investimit buxhetor këtë vit do të jetë në Diplomaci Publike, Diplomaci Ekonomike dhe mërgatë.

Ka edhe shumë projekte e nisma tjera që janë në këtë buxhet, por ka edhe shumë sfida. Megjithatë, bashkërisht, do të duhej që përmes realizimit të Programit Qeverisës, dhe ekzekutimit të mirëfilltë të këtij buxheti, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve, ta zhvillojmë ekonominë, dhe ta rrisim punësimin.

Të nderuar qytetarë,

Jemi të vetëdijshëm për situatën e rëndë ekonomike dhe energjetike, e cila është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ky projektbuxhet është menduar që të ju vihet tërësisht në ndihmë juve. Me të vazhdojmë realizimin e zotimeve dhe projekteve tona zgjedhore e qeveritare, e gjithashtu edhe ballafaqimin me krizën aktuale. Kur garuam në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, të vetmen krizë që e kishim para, ishte ajo Covid-19. Me të ardhur në detyrë arritëm që shumë shpejt t’i sigurojmë vaksinat për të. Por, në ndërkohë lindi edhe një krizë e re e cila u shkaktua si pasojë e agresionit ushtarak e invazionit rus ndaj Ukrainës. Inflacioni, kriza energjetike e kriza ushqimore janë këto tri pika kryesore të cilat po diskutohen në të gjitha vendet e botës. Prandaj, të gjitha ato që i përmenda më herët, janë në shërbim edhe të kësaj. Si kabinet qeveritar ne kemi vigjilencën e shtuar që të marrim masa e vendime konkrete sa herë të jetë e nevojshme, për t’ua lehtësuar juve jetën e për t’ua rritur mirëqenien.

Andaj, Pakon e Ringjalljes Ekonomike që e filluam në vitin 2021, e vazhduam edhe në vitin 2022, duke ia bashkangjitur edhe Pakon e Përballjes me Inflacionin.

Andaj, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, këtë mbështetje për fushat e lartpërmendura dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, që parasheh projektbuxheti për vitin e ardhshëm 2023, ju ftoj që ta mbështesni me votuan tuaj sot.

Ju falemnderit.

Lexo më shumë:

Të ngjashme