Kurti: VV s’do të dobësohet ashtu siç kundërshtarët po shpresojnë

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 21:28 | Nga

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur për problemet që kjo parti po i kalon.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kurti ka numëruar një numër të madh largimesh të zyrtarëve e deputetëve si dhe akuzat e bëra ndaj Kurtit, si njeri që po synon të krijojë një parti ku gjithçka silet rreth tij.

“Mua më ka penguar si shprehen disa aktivistë në rrjete sociale, por unë jam për lirinë e shprehjes. Ajo çka duhet të kemi ne është një kod i sjelljes se si duhet të shprehemi. Të gjithë ata që kanë qenë anëtarë e dinë shumë mirë se sa shpesh kemi folur për këtë çështje”, tha Kurti duke shpjeguar pse nuk i ndali disa akuza që janë bërë për krahun e Dardan Molliqajt nga mbështetësit e Kurtit.

Ai ka folur më gjerësisht edhe si erdhi Visar Ymeri në krye të partisë.

“Në vitin 2014 kishim një përvojë të re në Vetëvendosje, dhe ajo ishte bashkëpunimi me partitë t tjera, në atë që u quajt 6 mujori i VLAN-it. Kishte disa muaj që unë po mendoja që ishte më mirë të kthehem në organizatë, dhe Visar Ymeri të bëhej kryetar i Vetëvendosjes. Ne kemi edhe sot e kësaj ditë dhjetra faqe tekst por asnjë faqe për organizimin tonë. U përpoqa duke diskutuar me të tjerët”, tha ai.

“Unë nuk mendoj që ka asgjë më të vështirë se teoria organizative. Këto janë çështje të brendshme, s’ka kuptim tani të dalin në publik. Unë besoj që Këshilli dhe Kryesia për platformën time, unë kam garuar me disa çështje, decentralizimin e financave, çështjet gjinore, çka janë vlerat e aktivistit”, tha Kurti.

Ai tha që strukturat e tyre nuk kanë arritur që t’i përcjellin votat që i morën.

Kurti tutje ka folur edhe për të dorëhequrit, duke thënë që Vetëvendosje s’do të dobësohet ashtu siç kundrshtarët po shpresojnë.

“S’ka kuptim që pa u diskutuar brenda partisë, problemet të diskutohen në studio televizive. Mendoj që edhe ata të cilët nuk pajtohen me mua, e ndjejnë nevojën për reformë”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme